THUMANË

26 nëntor, Ora 03.55 minuta. Një vale e fortë sizmike shkund nga themelet territorin e Shqipërisë së mesme aq sa lëkundjet mbërrijnë deri në italinë e jugut, malin e zi, Kosovë, Maqedoni dhe Greqinë e veriut.

Tërmeti zgjat 30 sekonda, ndërsa epiqendra e tij është në det, pak kilometra larg Kepit të Rodonit.

Tërmeti e ka epiqendrën në thellësinë 40 kilometra në koren e tokës, prej ku u gjenerua një energji me magnitudë 6.4 sipas shkallës righter dhe forcë goditëse 9 ballë.
Pasojat janë apokaliptike, për një vend të vogël si Shqipëria që s’kishte parë e dëgjuar për një tërmet të ngjashëm që prej vitit 1979.

Sipas ekspertizës ndërkombëtare të kryer nga “Volcano Discovery”, energjia e çliruar në vetëm gjysmë minuti ishte baras me 3.8 bomba atomike të shpërthyera njëherazi.
Qyteti i parë që goditet është Durrësi e më pas valët zgjerohen, duke goditur Krujën, Vorën, Kavajën, Kamzën, Tiranën, Laçin, Lezhën dhe periferitë.

Të frikësuar deri në palcë afër 1.5 milionë banorë që jetojnë në trekëndëshin Lezhë – Tiranë – Kavajë braktisin shtëpitë dhe ndërtesat shumëkatëshe, duke u grumbulluar në sheshe të mëdha.

Linjat e telefonisë celulare bllokohen menjëherë nga fluksi I lartë I thirrjeve, pasi të gjithë tentojnë tu telefonojnë të afërmve nga frika e më të keqes. Kanali I vetëm I komunikimit mbeten valët e internetit.

PJESA E PARË
Pas valës së parë të panikut kolektiv e gjithë vëmendja e shqiptarëve brenda dhe jashtë kufijve përqendrohet në zonat më të goditura nga tërmeti, në Durrës qytet, në zonën e plazhit, si dhe në Thumanë.

Në rrjetet sociale filluan të qarkullonin foto dhe video të objekteve shumëkatëshe të rrëzuara fillimisht në Durrës e më pas në Thumanë, ku flitej për jetë të humbura dhe shumë persona të bllokuar nën gërmadha.

Policia, zjarrfikësit, si dhe ndihma e parë mjekësore ishin të parët që rendën nga disa qytete në ndihmë të thirrjeve SOS. Me ta u rreshtuan edhe punonjës të kompanive private që dispononin mjete të rënda, si dhe punonjës të OST dhe repartit të Kërkim-shpëtimit të minierave, të ardhur nga Tirana.

Ora 6.30 minuta – Grupi – xhirimit të Neës24 raporton nga Thumana për dy pallate 5 katëshe gjysmë të rrëzuara, që kishin zënë nën vete familje të tëra. Ata që mundin t’i shpëtonin vdekjes tregojnë sesi e panë atë në sy, teksa vraponin shkallëve dhe se fati i kishte kursyer, pasi jetonin në anën e pallatit që mbeti nën këmbë.

Pamjet ishin tragjike jo vetëm për publikun e shtangur para ekranit, por edhe për vetë gazetarët që nuk ishin përballur kurrë më parë me një dramë të tillë njerëzore.
Hera-herës nga poshtë gërmadhave të stërmëdha dëgjoheshin zëra të mbytur, sinjale shprese që të mbushnin zemrën se jo gjithçka njerëzore ishte shuar nën to.

Rreth orës 7 të mëngjesit në Thumanë zbarkojnë me dhjetëra ushtarë e oficerë të Forcave të Armatosura, të cilët nisin punën ashtu me duar zhveshur, pa pajisje dhe helmetë mbrojtëse.

Përtej dëshirës dhe përkushtimit të grupeve të kërkim shpëtimit për të bërë më të mirën e mundshme, operacioni realizohej pa qenin e trajnuar për situata të tilla apo mjete speciale teknologjike. Siç tregojnë pamjet, gërmimet orientoheshin nga thirrjet e grupeve të kërkim-shpëtimit dhe klithmat që mund të vinin nga poshtë nëse i mbijetuari ishte koshient.

E ndërsa të gjithë sy e veshë ishim përqendruar te çdo sinjal pozitiv nga poshtë gërmadhave, një kërcënim serioz qëndronte mbi kokat e grupeve të kërkim shpëtimit dhe të gjithë personave që asistonin. Vetëm pak metra larg vendit të tragjedisë qëndronin 3 ngrehinat 5 katëshe, gjysmë të rëna me tulla silikate ndërtuar para viteve 80, që mrekullia i kishte mbajtur në këmbë për të mos rënduar edhe më bilancin, por që mund të shembeshin në çdo moment nga pas-lëkundjet e forta që përsëriteshin çdo 5 apo 10 minuta me magnitudë deri 5 të shkallës righter.

Vetëm në mesditë me mbërritjen e ekspertëve të ushtrisë së Kosovës nisi kërkimi me qen të stërvitur si dhe u përdor për herë të parë aparatura termike që lejon identifikimin e trupave të gjallë nën rrënoja.

Interesimi i qeverisë dhe politikës ishte në maja. Atë mëngjes të gjithë njerëzit më të fuqishëm të shtetit dhe jo vetëm erdhën në Thumanë për të parë nga afër situatën, që nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ministra e deputetë të mazhorancës dhe opozitës, si dhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Kryeministri Edi Rama u pa në Thumanë rreth mesditës, ku dhe u përballë me familjarët e personave të mbërthyer nën gërmadha që kërkonin ndihmë.

Pas dy ditë kërkimesh bilanci i viktimave në Thumanë shkon në 24, por tërmeti mund të kishte qenë edhe më vrastar se aq. Disa nga të mbijetuar tregojnë sesi fati i ndihmoi të dilnin nga pallati pas tërmetit të parë të orës 3 por komshinjtë e tjerë nuk e dëgjuan thirrjen e tyre.

PJESA E DYTË
Po sot çfarë po ndodh me Thumanën dhe njerëzit e saj. Qyteza është e shkretë, thuajse s’ka njerëz, s’ka jetë. Ata pak banorë që gjejmë aty thonë se janë kthyer në roje të shtëpive të tyre që kanë mbetur ende në këmbë e që janë kthyer në shënjestra të hajdutëve që rreken të marrin çdo gjë.

Syri të sheh shtëpi të shpartalluara, pa dyer e dritare, dollape të boshatisura dhe rroba të hedhura ngado përtokë. Kanë dëgjuar nga media dhe nga vetë kryeministri për ndihmat e shumta të ardhura që janë grumbulluar për familjet e prekura nga tërmeti por thonë se ato ndihma nuk kanë mbërritur kurrë tek ata që siç thonë dhe vetë kanë mbetur me rrobat e trupit që kishin veshur ditën e tërmetit.

Në 26 nëntor Thumana u godit rëndë, aq rëndë sa ende nuk është vrarë frika që ka hyrë thellë tek të mbijetuarit që panë tmerrin me sy. Më në panik janë banorët që jetojnë në ndërtesat e vjetra dy katëshe të ndërtuara në vitet 60 me përbërje mikse, kurë tulla e llac dhe mbuluar me çati të cilat janë klasifikuar të banueshme. Por asgjë nuk i bind banorët që të rikthehen në to pas tragjedisë që u panë sytë.

Për hotelin ku shteti i ka strehuar provizorisht thonë fjalët më të mirë por nga ana tjetër ndihen të vetmuar dhe të braktisur po nga shteti. Banorët e Thumanës duan të ringrihen, t’i kthehen punës e jetës normale që të mund të harrojnë tmerrin e përjetuar, por si? Askush nuk di nga t’ia nisë e kujt t’i besojë pas dramës së përjetuar në mënyrën më të keqe.

Të gjithë sytë i kanë nga qeveria dhe më shumti tek Elvis Naçi, të cilit i besojnë më fort se qeverisë se një ditë do t’i bëjë me shtëpi të re e të sigurt. Nga ana e tij imami i njohur për bamirësitë e tij, autor i emisionit “Shqiptarët për shqiptarët”, thotë se amanetin për Thumanën, si çdo mision tjetër të nisur prej tij, do ta çojë deri në fund dhe se banorët e mbetur pa strehë do të bëhen me shtëpi të reja.

PJESA E TRETË
E ndërsa qeveria zbarkon në terren dhe njëherazi në studiot televizive për të pasqyruar punën e pas-tërmetit të 26 nëntorit, ngjarja e Thumanës është e veshur me mister dhe paqartësi të shumta marrë shkas nga deklaratat e banorëve të mbijetuar. Për Neës24 dëshmitarë okularë që jetonin në dy pallatet e shembura pohojnë se apartamentet e tyre kishin pësuar dëmtime të konsiderueshme që në tërmetin e 4 korrikut të vitit 2018 e më pas dëmet ishin thelluar ndjeshëm me tërmetin e shtatorit të 2019 pas të cilit iu ishte dashur ti braktisnin shtëpitë dhe të jetonin në çadra për ditë të tëra.

Por kur nuk panë asnjë sinjal pozitiv nga qeveria qendrore dhe vendore, banorët vendosën të rikthehen në apartamentet e dëmtuara dhe askush nuk u tha jo, përkundrazi bashkia sipas tyre I vlerësoi apartamentet të banueshme.

Të tjerë banorë thonë se morën borxhe në banka për të mbyllur të çarat në mure në tentativë që të fshinin gjurmët nga sytë fëmijëve të traumatizuar e që nuk pranonin të riktheheshin në to.

Para kameras banorët pohojnë se nuk kanë marrë asnjë fond a ndihmë financiare nga bashkia Krujë për riparime edhe pse premtimi ishte bërë nga vetë numri 1 i qeverisë në datë 2 tetor 2019.

Bashkë me lajmin e miratimit të paketës së rimëkëmbjes në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Rama informoi opinionin publik në datë 2 tetor 2019 se institucionet kompetente do të kalonin në sitën e kontrolleve të gjitha ndërtesat mbi 50-vjeçare ku hynin edhe pallatet 5 katëshe në Thumanë.

Në të njëjtin takim me gazetarët kryeministri foli edhe si ekspert duke garantuar se objektet e dëmtuara nga tërmeti i 21 shtatorit nuk rrezikonin shembjen pasi sipas tij nuk kishin pësuar dëmtime strukturore, e për rrjedhojë i bën thirrje qytetarëve të tregojnë durim.

Por banorët e mbijetuar deklarojnë se ekipet e ekspertëve të institutit të ndërtimit nuk u panë kurrë në pallatet e tyre. Ky fakt përforcohet edhe nga vetë titullari i Institutit të Ndërtimit, Agron Hysenlliu, bërë gjatë emisionit Real Story.

Ende dhe sot nuk ka një qëndrim zyrtar si nga qeveria, prokuroria, apo bashkia Krujë për të gjitha pretendimet dhe pikëpyetjet që ngrenë banorët e Thumanës për mënyrën sesi shteti dhe pushteti menaxhuan problemet e pos-tërmetit të 21 shtatorit në këtë qytezë relativisht të varfër.

Për më tepër Bashkia Krujë, ka zgjedhur të hesht dhe të mos thotë asnjë fjalë për të larguar misterin që rrethon ngjarjen edhe pse me ligj është institucioni direkt që administron qytezën e Thumanës dhe i vetmi që sipas banorëve disponon prova dhe fakte filmike që dëshmojnë gjendjen e dy pallateve 5 katëshe pas tërmetit të 21 shtatorit.

MBYLLJA
Një shprehje e vjetër thotë se të gabosh një herë është njerëzore, por të rigabosh dy herë në të njëjtin vend, e për të njëjtën çështje përbën një veprim prej të papërgjegjshmi, e që kur ka pas edhe një faturë njerëzore përbën një krim që duhet hetuar e gjykuar për të mos u përsëritur.

Kjo shprehje më shumë se kurrë vlen sot për të gjithë ne pa përjashtim, e më së pari për qeverinë, a qeveritë që do vijnë me qëllim që të mos guxojnë të neglizhojnë pasojat e një fatkeqësie natyrore me mendimin se e keqja nuk përsëritet dy herë rresht.

Pra me fjalë të thjeshta, që të mos ketë më një Thumanë e dytë askush e për asnjë arsye nuk duhet lejuar të banojë në pallate të dëmtuara e të pasigurta e që janë të destinuara të kthehen në varre masive siç vetë dëshmitarët pohojnë se ndodhi në Thumanë. Historia do të na gjykojë keq nëse nuk vëmë mend edhe pas kësaj tragjedie vrastare që mund të ishte shmangur nëse minimalisht do ishte zbatuar ligji.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb