TIRANE – Kryeministri Edi Rama deklaroi dje gjatë një interviste për Janusz Bugajskin në “Albanian Screen”, se po punon me presidentin për çështjen e zgjedhjes së guvernatorit të ri. Por nga ana tjetër nuk komentoi lidhur me këtë çështje. Sa i përket bojkotit të opozitës në Kuvend, Rama tha se alibitë e opozitës kanë rënë, sepse shumica i ka plotësuar të gjithë kërkesat e saj.
Presidenti ka nominuar një guvernator të ri pas skandalit lidhur me guvernatorin e mëparshëm. A keni në plan ta miratoni këtë zgjedhje?
Më lejoni që të mos komentoj mbi këtë!
Patjetër! Po ju bëj një pyetje tjetër! Supozoj se marrëdhëniet tuaja me presidentin janë të shkëlqyera në këtë pikë.
Po i ngremë ato. Dhe jam besimplotë se ne do të rrënjosim një kulturë të re bashkëpunimi mes presidentit, që është zgjedhur nga njëra palë dhe kryeministrit që është zgjedhur nga pala tjetër. Dhe gjithashtu, kemi avantazhin që kryetari i Parlamentit është njëri nga dy liderët e maxhorancës qeverisëse, por gjithashtu edhe mjeshtëria e të qenit një paqtues i mirë. Pra, them se mund t’i ngremë ato.
Pra, ju mund të punoni bashkë?
Po! Ne po punojmë fort për ta bërë këtë. Nuk është e lehtë. Por deri më tani jemi të lumtur që koha kur presidenti sulmohej me ligësi, apo me më pak ligësi nga salla e konferencave të kryeministrit ka marrë fund. Një nga kushtet, apo le të themi kërkesat e BE-së për vite me radhë ka qenë që duhet të ketë njëfarë bashkëpunimi dhe që partitë të mos bojkotojnë parlamentin.
Sot ka një situatë ku PD-ja bojkoton parlamentin prej disa muajsh. Si reagoni ju ndaj kësaj çështjeje?
Fatkeqësisht ne po përjetojmë një përvojë jetësore të asaj thënies së famshme se historia përsëritet si një farsë, pasi është zhvilluar njëherë si tragjedi. Pra, kjo është pjesa komike e gjithë kësaj. Por gjithashtu, shpresoj se edhe kjo do të ndryshojë sepse alibitë e opozitës nuk ekzistojnë më. Ne kemi përmbushur kërkesat e tyre, ndonëse…. Nuk po bëj komente për këtë. Ne i kemi plotësuar kërkesat e tyre, por s’e di se ç’bëjnë ata tani dhe përse s’janë në vendin e tyre të punës?
A ka kërkesa nga ana e BE-së mbi këtë çështje?
Jo, jo! Ky është vetëm një mit!Sigurisht, në Parlamentin Evropian ne kemi miq. Të dyja palët kanë miq. Miq të mirë të Shqipërisë! Njerëz që kanë treguar vullnet për të mirëkuptuar dhe për të ndihmuar. Por në këtë rast gjithçka është bërë në bazë të vullnetit tonë mjaft të fortë si shumicë për të zgjatur dorën, për të mos hezituar dhe për të mos refuzuar me kryeneçësi atë që kërkon opozita, ndonëse kërkesat kanë qenë goxha qesharake.
Por ju bëtë disa lëshime?
Në çdo pikë! Dhe këtë do ta bëjmë çdo herë, për sa kohë që bëhet fjalë për rregullat e lojës. Ata duan të flasin më shumë se sa ne në parlament. Mirë se të vinë, le të flasin. Nuk ka rëndësi se sa gjatë flet, rëndësi ka ajo që thua. Pra, fakti që do të flasin më gjatë nuk ka për t’i ndihmuar ata, por meqë e kërkuan, ata janë të mirëseardhur.
A ekziston mundësia që PD-ja në opozitë t’i bojkotojë zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm?
Jo, nuk besoj se do të ndodhë kështu, por edhe nëse ndodh kështu, zgjedhjet do të mbahen. Dhe ne do t’i fitojmë ato me përkrahjen mjaft të fuqishme të njerëzve, ashtu siç do t’i fitojmë me PD-në në garë. Dhe jam i sigurtë se ata do të marrin pjesë në zgjedhje, sepse mungesa në zgjedhje do të ishte vetëvrasëse.
Qeveria juaj është vënë nën kriticizëm se, paradoksalisht ka hapur një bunker, ose një strehim të nëndheshëm të udhëheqësve komunistë…. Pra, ka akuza se ju po e nderoni komunizmin apo se keni hapur një memorial të komunizmit. Si i përgjigjeni kësaj akuze?
Ky është një kriticizëm që vjen nga njerëz krejtësisht injorantë dhe po aq budallenj. Madje as nuk denjoj të përgjigjem. Ndjej thjesht keqardhje për ata. Them se reagimi i njerëzve ka qenë fantastik dhe po aq fantastik ka qenë dhe reagimi ndërkombëtar. Dolëm në të gjitha lajmet në mbarë globin. Dhe madje, as gazetat në Japoni nuk do të ishin të interesuar për atë po qe se ne do të nderonim komunizmin.
Vizita në Beograd. A mendoni se kjo ishte një ngjarje momentale apo ka probleme të ndjeshme të pazgjidhura ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve?
Droni ishte si një letër lakmuesi. Ndodhi si çdo gjë budallaqe që mund të ndodhë në një lojë futbolli. U shndërrua në një dramë të madhe mbarëbotërore, bazuar mbi benzinën e hedhur nga Beogradi, gjë që është fund e kthye qesharake. Dhe njëherazi është tragjike të shohësh se si ky objekt fluturues arrin të luajë mendsh një vend të tërë dhe pastaj të çmendë botën mbarë. Është absolutisht një test se ç’mosbesim të madh dhe se ç’vakum historik ka ndërmjet nesh.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: