NGA KLODIANA HAXHIAJ*

DURRES – Shfrytëzimi për prostitucion i një minorene nga Durrësi ka çuar në pranga dy studentë nga Tirana, ndërsa po hetohet në gjendje të lirë dhe një 38-vjeçar nga Prishtina, i cili ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me 15-vjeçaren kundrejt pagesës prej 50 euro.
Burime zyrtare nga blutë e qytetit bregdetar pohuan se është arrestuar 21-vjeçarja Abiela Tafa, e cila kishte rekrutuar vajzën me iniciale I.D., si dhe i dashuri i saj 25-vjeçar, Dritan Mici. Mësohet se dy studentët tutorë e kanë shfrytëzuar15-vjeçaren për prostitucion për afro dy muaj, në pesë hotele, në qytetin bregdetar dhe atë të Tiranës.

DËSHMIA E MINORENES
Pas arrestimit nga specialistët e seksionit për trafiqet e paligjshme në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Durrësit, minorenia I.D. është marrë në pyetje në prani të psikologes. Ajo ka dëshmuar se si është njohur me dy të rinjtë nga Tirana dhe se si është shfrytëzuar prej tyre. “U njoha rastësisht me Abiela Tafën. Ajo më mësoi si të vishesha dhe më detyroi të prostituoj. Në fillim më joshi, duke më thënë se jam vajzë e bukur, se jam e gjatë dhe bie shumë në sy. Abiela më tha që do të bëja pasuri në një kohë të shkurtër.
Do të bëja para, se ne në familje jemi të varfër. Nuk e di se si kam pranuar. Por, ka qenë mesi i muajit shtator, kur më gjetën klientë për herë të parë”, ka thënë 15-vjeçarja para oficerëve të Policisë Gjyqësore.

Ndërkaq, I.D. ka pohuar se “Tafa dhe Mici (banues në Kamëz) më morën dhe çuan në disa lokale në Tiranë dhe konkretisht tek Blloku. Aty më gjenin klientë dhe më pas shkonim në hotel. Klientët ishin të moshave të ndryshme, por kryesisht moshë e madhe. Ata paguanin sipas rastit nga 50 euro deri në 100 euro. Kishte raste që më gjenin klientë edhe në Durrës. Disa klientë në ditë. Puna nuk ishte vetëm natën, por edhe ditën. Mua më jepnin pak lekë, sa për bukë. Ata mbanin paratë e mia. Tentova disa herë ta lë këtë punë, por më kërcënonin me metoda të ndryshme. Më thoshin se asnjëherë nuk do të më linin të qetë nëse nuk bëja punën që donin ata. Derisa u detyrova dhe bëra denoncim në polici. Nuk mund t’i duroja më, më kishin futur frikën dhe isha e tmerruar prej tyre”.

ARRESTIMI
Menjëherë pas denoncimit, policia e Durrësit ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Pas kryerjes së hetimeve, blutë kanë arrestuar në flagrancë tutorin 25- vjeçar Dritan Mici dhe klientin kosovar. Ata u kapën mëngjesin e së dielës tek Ura e Dajlanit teksa ishin nisur për në hotel. Më pas është prangosur edhe studentja Abiela Tafa.
Bazuar në dëshminë e dhënë nga 15-vjeçarja, policia ka verifikuar lokalet dhe disa hotele në Durrës e Tiranë ku është prostituuar minorenia, ndërsa janë vënë nën hetim pronarët. Materialet në ngarkim të dy studentëve dhe shtetasit nga Kosova i janë përcjellë Prokurorisë së Durrësit për veprat penale “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Prostitucion”.

(er.nu/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: