Ministri i Turizmit dhe i Mjedisit, Blendi Klosi, nisi turin për prezantimin e ligjit të ri të pyjeve. Ky tur startoi në Pukë, pasi ky qytet dallohet për një masiv pyjor të pasur dhe do të vazhdojë edhe në zona të tjera.

“Ligji i ri i pyjeve është ligj kuadër, i cili është një nga ligjet e debatuara për dy vjet në të gjithë territorin e vendit, një ligj që është diskutuar masivisht me grupet e interesit, kryetarët e bashkive, me pedagogët e universiteteve, me shkencëtarët e pyjeve. Çdo ditë që kalon tregon nevojën për t’u shpjeguar ashtu siç duhet në implementim, por edhe për të parë se çfarë duhet bërë më mirë që kjo situatë të ndryshojë. Jemi në një ligj, i cili kërkon në radhë të parë që t’i rikthejmë me forcë pyjet në komunitet”, tha ministri Klosi.

Ligji i ri iu jep bashkive të drejta të plota mbi pyjet dhe jo vetëm të drejta pronësie, por dhe të drejta për menaxhim, të drejta për përfitime dytësore që vijnë nga pyjet, të drejta për t’i shfrytëzuar ato pyje ashtu siç duhen.

Ligji i ri kërkon ngritjen e institucioneve pranë bashkive me logjikën që pyjet janë realisht pasuri kombëtare.

”Kryeministri Edi Rama, Qeveria shqiptare ka ndërmarrë një veprim të jashtëzakonshëm që është moratoriumi i pyjeve. Dhe të gjithë shohim në portale që akuzojnë që denoncojnë prerje të paligjshme. Po është e vërtetë që ka prerje të paligjshme, sepse është një sasi shumë e madhe 60% e Shqipërisë është sipërfaqe pyjore, por ama në total kufizimi mbi këto prerje është evident dhe kudo në Shqipëri shohim pyje të reja që po lulëzojnë falë këtij moratoriumi”, – nënvizoi Klosi.

Më tej, ministri Klosi u shpreh se “do të lejojmë që këto pyje të dëmtohen, apo do t’i kthejmë ato në pasuri. Këtë do të bëjë ligji i ri së bashku me ndryshimet e Kodit Penal që kaluam në verën e këtij viti, ku prerja e pyjeve nuk është më vepër administrative, por është një vepër penale”.

“Kush pret një pemë është si të vjedhë një dyqan. Kush sharron një masiv pyjor është si të grabisë një bankë dhe dënohen si vepër penale dëmtuesit e pyjeve. Po kush mund ta bëjë monitorimin. A mund ta bëjë një institucion qendror siç është Ministria e Mjedisit dhe strukturat e saj. Padyshim që jo, por bashkitë duhet të kuptojnë që e kanë këtë pasuri jo vetëm për të nxjerrë të ardhura nga përdorimi në mënyra indirekte, por për ta pasur si pasuri të madhe”, theksoi Klosi në këtë takim.

Ndërkohë së bashku me pedagogët dhe profesoriatin e Fakultetit të Shkencave Pyjore u hodh në natyrë insekti kalosoma erëkeqe, (Calosoma Sycophanta) i cili do të luftojë sëmundjen e procesionares që ka prekur pishat në 30 % të territorit të vendit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: