TIRANË

Alfred Lela ishte ende i emocionuar, ndoshta i prekur dhe i trishtuar pas shoqërimit me forcë nga policia ditën e djeshme tek protesta për Teatrin. Në studion e “Real Story”, në News24, Lela rrëfeu me detaje çfarë kishte ndodhur dhe kush ishte shefi i komisariatit që e kishte tërhequr zvarrë me forcë dhe që nuk kishte asnjë mjet identifikimi. Ai tha se nuk do e lërë me kaq këtë çështje dhe se do e çojë deri në Departamentin Amerikan të Shtetit.

“Jam mirë. Kam pak probleme me qafën dhe nuk e kam mundësinë për të operuar si njeri i shëndetshëm. Për humor, biçikletën e kam gjetur.
Më erdhën disa mesazhe, disa ish-deputetë të PD, disa prej tyre miq të mi. Më kanë mbështetur. Kam marrë mbështetje nga njerëz që unë nuk i njihja, kaq shumë që më kanë bërë ta kaloj më lehtë këtë dramë që ishte dhe psikologjike. Kam më shumë dhimbjen e mamasë se dhimbjen time. U kryqëzuan këto të dyja dhe krijuan një moment që ndoshta do doja të mos e kisha shfaqur publikisht. Padrejtësia me sa duket. Unë isha në anën e drejtë. Unë as e dija që ishte zonja Caka, për mua ishte një grua që po arrestohej krejt pa të drejtë. Unë e ndoqa skenën. Silva është marrë jashtë rrethimit policor dhe është marrë brenda gardhit dhe nuk po bënte asgjë. Po i thoshte atij oficerit që pse po e bëni këtë se nuk bëri asgjë.
Kapërceva atë gardhin e shenjtë të Altin Lilës, se kështu quhej ai zotëria civil. Se më kërkojnë mua dokumentin e identifikimit, që duan apo s’duan jam person publik dhe shefi i komisariatit numër 5 pa asnjë lloj distinktivi, pas asnjë mjet identifikimi më dhunoi, pra një zyrtar i lartë i policisë. I kam marrë emrat e të gjithëve jo se jam bërë gati të qis pushkë por se dua të ndërtoj një skedë. Kam ndërmend ta hedh në gjyq policinë e shtetit. Kam ndërmend ta çoj në DASH kam folur me disa organizma europianë dhe s’kam ndërmend ta lë këtu. Më kanë parë aq shumë policë atë ditë sa nuk më kanë parë gjithë jetën”, deklaroi Lela.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb