Në kulmin e tensionit kur mbi ta është ngritur një proces hetimor, ku akuzat janë nga më të rëndat pasi dyshohen për trukim ndeshje, Bylis dhe Tirana luajnë sot në një sfidë zjarri. Më shumë se sa për të siguruar një biletë për në finalen e Kupës së Shqipërisë, sot luhet për të hedhur poshtë dyshimet dhe aludimet e shumta të ngritura këto periudhë. Një ditë më parë drejtuesit më të lartë të klubit bardheblu, duke nisur nga presidenti Halili, drejtori sportiv, trajneri, kapiteni dhe portieri Lika, të gjithë dhanë versionin e tyre përballë Komisionit të Etikës.

Tirana Bylis
Tirana Bylis

Të gjithë në një zë u shprehën se janë të pastër dhe nuk kanë lidhje me atë që flitet, ndeshja e kthimit sot përballë Bylis është mundësia më e mirë për ta vërtetuar. Jo vetëm për trukim ndeshje, por gjatë këtij sezoni është folur shpesh edhe për aleanca, për pazare mes klubesh, kjo është një sfidë që të dy klubet kanë mundësi të hedhin poshtë edhe këtë version. Sigurisht presioni është më i madhe në radhët e Tiranës, jo vetëm që janë ekipi më i mirë i Superligës, deri më tani, por të thyejnë Bylis në kryeqytet është mese e mundur. Kosto në imazh, në financa, në çdo aspekt është shumë më e madhe për Tiranën nëse dënohen për atë që ndodhi në Ballsh. Sigurisht që as Bylis nuk kanë ndërmend të vijnë për turizëm në kryeqytet, pas fitores 2-1 në sfidën e parë, sot do të bëjnë gjithçka për të synuar një vend në finalen e Kupës së Shqipërisë.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb