Avokati i Izet Haxhisë, Idajet Beqiri deklaroi se çështja e klientit të tij është zvarritur për shkak të ndërhyrjeve të personave me pushtet politik.

I ftuar në emisionin ‘Real Story’ në ‘News24’ Beqiri, duke marrë shkas nga fakti se sot nisi gjykimi për Haxhinë, i cili akuzohet për vrasjen e ish-deputetit të PD-së Azem Hajdari, pohoi se klienti i tij duhet të dilte që në 18 mars të këtij viti.

Sipas Beqirit, Haxhisë i ka mbaruar afati i qëndrimit në paraburgim.

“Nuk duhej çuar çështja për konflikt kompetence në Gjykatë. Persona me pushtet ndikuan që kjo çështje të zvarritej. Trupi gjykues bëri këtë gabim që kjo çështje të shkonte në gjykatën e Lartë. E bllokuan në gjykatën e Lartë. Shkak ishte prokurori që tha se nuk ishte kompetencë e Gjykatës së Lartë, por të ishte e Krimeve të Rënda. Krimet e Rënda e kthyen. Faji ishte i shtetit dhe sot po e vuan Izet Haxhia. Po e vuan në kundërshtim me ligjin. Pse Haxhia po rri në burg padrejtësisht! Në 18 mars të 2020-ës, kaloi afati 1 vjeçar për të qëndruar në paraburgim. Sot nisi gjyqi për të. Nga 18 marsi, ai rri në kundërshtim flagrant në burg. Gjykata e Strasburgut e dënoi njëherë Shqipërinë për rast të tillë, tani duhet ta dënojë sërish. Shumica e këtyre gjyqtarëve u prekën nga vettingu. Disa prej tyre janë pushuar, në burg. Këta tre gjyqtarë që do e gjykojnë, nuk i janë nënshtruar vettingut. Në kërkuam që këta gjyqtarë duhet të dorëheqësin, pasi shkelën ligjin. Dosja u kthye tek e njëjta gjykatë. U sorollat për 1 vit me radhë. Tani po mbushen 2 vite dhe çështja s’ka ndërmend të gjykohet, jo pa qëllim shkelin ligjin këta gjyqtarë. Kërkuam përjashtimin, pasi ata nuk pranuan të dorëhiqeshin.”, tha Beqiri.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb