Operacioni Forca e Ligjit është ndalur sot ne Elbasan dhe Peqin, ku iu ka kërkuar 5 subjekteve që të deklarojnë pasurinë brenda 48 orëve.
Gazetarja Dorjana Bezat raporton per ‘BalkanWeb’ se bëhet fjale për shtetasit; Mustafa dhe Dylaver Methasa, Arsen Salla, Ervis dhe Ardjan Çela.
NJOFTIMI I OFL
Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:
M. M., banues në Elbasan, i dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”;
D. M., banues në Elbasan, i dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”;
A. S., banues në Elbasan, i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”;
E. Ç., banues në Peqin, i dënuar për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”;
A. Ç., banues në Peqin, i dënuar për veprën penale “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”.
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.
OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.