NGA ARTAN FUGA*

Unë jam i sigurt që Plaku i Vitit të ri këtë vit nuk do të vij fare në Shqipëri. Po erdhi, dhe nuk më del fjala, ju jap fjalën se do ta mbyll këtë faqe facebook duke ju kërkuar ndjesë për gjithçka kam shkruar në këtë vit.

Kush ta shohi të më thotë. Por, kujdes mos të ngatërrohet nga ca kllouna e mashtruesa që hiqen sikur janë pleq të viteve të reja, sepse në fakt si shumica e gjërave te ne, edhe ata janë fallco. Mall surrogato, fasonësh dhe kundrafasonësh.

Nuk do të vijë ore jo, sikundër ka vite që nuk vjen për vizitë ndonjë kryetar shteti te ne. E ç’të vijë? Është njësoj sikur të vesh për vizitë për 5 majin te një familje frikacakësh…

Edhe për këtë politika do të ndahet : Opozita do të thotë se Plaku i vitit të ri vajti në Shkup, Athinë, Beograd, por evitoi vizitën në Tirani për shkak të reformës të keqe në drejtësi.

Kurse shumica rilindase do të thotë se ai jo vetëm erdhi, por erdhën pa fund pleq të viteve të reja, e duke e provuar këtë duke i nxjerrë në fotografi këta fallcot që i gjen kudo neveritshëm nëpër vitrina dyqanesh, qendra tregtare, etj.

Të gjithë njësoj aman…
Dhe ne si qytetarë, nën presionin e interpretimeve të kundërta, nuk do ta kuptojmë kurrë nëse Plaku i vitit të ri erdhi vërtet apo jo, apo edhe këtë vit do ta kalojmë me plakun e vitit të vjetër që nuk shkulet nga vendi si lypsar në cep të oxhakut, dhe madje nuk dimë edhe se mos edhe vetë ai i vjetri ka aty në oxhakun e vatrën tonë prej 103 vjetësh.
Ku ka plak të vitit të ri që vjen pa ikur plaku i vitit të vjetër…

https://www.facebook.com/Artan-Fuga-27892188595/?fref=ts

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: