Nga: AURORA GOLEMI
TIRANE – “Dje kam ngrënë për herë të fundit, hëngra salçiçe. Dje hëngra djathë bebe dhe salçiçe dhe kaq. Sot nuk kam ngrënë asnjë gjë”. Kështu shprehen fëmijët e evakuuar në palestrën e shkollës 9- vjeçare “Misto Mame” të cilët pohojnë se prej ditës së djeshme ndihen të uritur.

Të strehuar në palestrën e kësaj shkolle, 25 familjet e përmbytura në zonën e ”Babrroit” tregojnë se brenda tre ditëve kanë ngrënë vetëm një herë, gjatë tre ditëve të qëndrimit në ambientet e kësaj shkolle. Pjesëtarë të komunitetit rom thonë se kushtet janë të vështira dhe se se askush nuk interesohet për ta.

“Pa bukë, jemi na kanë sjellë vetëm dje të hamë”- shprehen ata.
“Kushtet janë shumë të vështira, më të vështira sesa ishim aty. Na kanë sjellë dy simite, tre salçiçe dhe dy bidona ujë, këta nuk na lënë të dalim, të paktën të lypim që të hamë. Tre ditë nuk kanë ardhur fare, na kanë lënë këtu, nuk interesohen për ne.”- shprehen banorët.
Pyesin me habi se çfarë do të ndodhë me fatin e tyre, pasi u kanë thënë se do të strehohen vetëm 3 ditë në palestër. Asgjë nuk kanë mundur të shpëtojnë, pasi u evakuuan me kamionët e ushtrisë, me urdhër të perfektit të Tiranës.

“ Ne duam strehim për kalamajtë, nuk do vdesim për bukë, do ta gjemë nëpër kazanët e plehrave. Lumi na mori shtëpitë, jemi nëpër rrugë tani. Mos të na i kthejë kurrizin, njerëz jemi nuk jemi kafshë, na thanë edhe sot jemi këtu edhe do na heqin, nuk e dimë ku do na çojnë. Nuk duam të shkojmë tëk lumi, do na marri me vete.”- shprehen ata.

Tregojnë për tmerrin e përjetuar kur lumi shembi barakat dhe rrezikoi në disa raste edhe jetën e fëmijëve që po flinin gjumë.
“Ka qenë ora 2, uji po futej në shtëpi, po shembej Baraka, arrita të shpëtoj me kalamajtë”.
Më shume humanizëm sesa instancat, si Bashkia e Tiranës dhe Emergjencat Civile që e kanë detyrim ligjor për të ndihmuar të evakuarit kanë treguar nxënësit e shkollës “Misto Mame”. Pako me ushqime të përgatitura në shtëpi dhe veshmbathje, janë grumbulluar për tua shpërndarë gjatë pushimit të gjatë te përmbyturve.

“Ne kemi bërë pjesën tonë. Fëmijët u treguan shumë të gatshëm, për të përgatitur vete ushqimet, Sanduiçe dhe byrekë por edhe pako me rroba kanë sjellë për të ndihmuar të përmbyturit”- shprehet Arjana Maci, drejtoresha e shkollës “Misto Mame”.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb