Për herë të parë këtë sezon, Partizani ngjitet i vetëm në krye, pa pasur asnjë skuadër pranë me pikë të barabarta. Sigurisht diferenca mbetet e ngushtë teksa Teuta e ndjek me vetëm një pikë më pak, për këtë arsye Ilir Daja dhe i gjithë ambienti në shtëpinë e kuqe nuk shohin më larg se sfida kundër Skënderbeu, një kundërshtarë që gjithashtu po kalon një moment të mirë dhe kërkon pikë përballë çdo kundërshtari për të mbijetuar mes më të mirëve. Daja vlerëson ekipin korçarë por ka besim tek forca e ekipit të tij që në këto javë është kthyer bindshëm me loje dhe rezultate:

“Unë mendoj se nuk ka më ndeshje të lehta, sepse kampionatit po i vjen fundi dhe të gjitha ekipet kanë objektivat e tyre. Të gjithë çiftet që përplasen janë ndeshje të forta, është starti i fundit, kanë mbetur edhe pesë javë. Kemi dy ndeshje të fituara dhe një të humbur me Skënderbeun.

Korçarët po kalojnë një moment shumë të mirë dhe kanë marrë pikë në çdo lloj përballje. Besoj se ne kemi formën më të mirë nga të gjitha ekipet, e kemi treguar këtë në javët e fundit, jo vetëm me rezultate dhe lojëra, por edhe me golat e shënuar.

Mala dhe Bardhi, dy mungesa të rëndësishme, për vetë vlerat që kanë dy lojtarët. Besojmë se do t’i minimizojmë mungesat me lojtarët që kemi në dispozicion. Problem është fakti që do kemi pak alternativa në stol, për të bërë ndërrime në pozicione natyrale, jo në vlera.

Derbi? Unë e di që pas Skënderbeut nuk ka ndeshje tjetër. Kjo do të thotë se nuk do kursehemi dhe nuk do mendojmë për asgjë tjetër. Do fokusohemi vetëm te Skënderbeu. Rezultati është kryesori në këtë fund kampionati. Të marrësh tre pikë në Korçë, do të thotë që duhet të vlerësojmë të gjithë kundërshtarin. Skënderbeu ka lojtarë që mund të godasin, sidomos në sulmin e shpejtë.

Presioni nuk është vetëm te ne, edhe ata kanë presion për arsyen e gjendjes në tabelën e klasifikimit, edhe atyre u duhen pikët. Shpërndarja e presionit është i barabartë, por ne kemi potencialin më të madh për ta përballuar këtë presion. Mund të kemi një qetësi më të madhe, sepse kemi një objektiv më të madh”, tha Daja.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb