“Në qoftë se nuk mbrojnë dot liderin e tyre, unë nuk kam fije shpresë si qytetar se do më mbrojnë mua”. Ky është mendimi i Fatos Lubonjës kur diskutohet se çfarë duhet të Partia Demokratike pas shpalljes “non grata” të ish-liderit historik dhe ish-kryeministrit Sali Berisha.

Artur Zheji dhe Fatos Lubonja bien dakord në një pikë, që PD duhet ta mbrojë Berishën dhe të shfaqin atë që është Edi Rama në të vërtetë dhe para Uashingtonit.
Zheji bëri analizën e tij në “Pikat mbi i” në News24, ku tha se asnjë nuk mërzitet se një pjesë e atyre që janë gëzuar dhe kanë hapur shampanjë për vendimin e DASH janë po aq mëkatarë sa doktori.

“Forca e njeriut në përgjithësi e aq më tepër e politikanit është të administrojë kohët e këqija, kohët kur ai lexohet si negativ, si humbës, si pjesë e pakicës. Kur shumica hap shishet e shampanjës. Kam informacion dhe jam i bindur se janë hapur shumë shishe shampanje pas deklarimit që u bë ndaj Berishës.
Fitimtarët e këtij momenti janë edhe njerëz që kanë vuajtur realisht nga Berisha sepse ai ka qenë dhe është një nga agresorët më të mëdhenj verbalë që i bën njerëzve, në këtë pikë nuk jam pajtuar kurrë me berishizmin, por janë fatkeqësisht po aq mëkatarë sa doktori. Asnjëri nuk po mërzitet se Amerika po godet mëkatin e korrupsionit në Shqipëri. Nëse ky është vetëm fillimi dhe në qoftë se doktori është përcaktuar si njeriu që ka shumë influencë në sistemin gjyqësor, njeriu që ka shumë influencë në Shqipëri dhe mban peng shumë institucione dhe bllokon shumë liri reformatore në sistemin e drejtësisë atëherë ok e shohim pikturën më të madhe dhe ndoshta ky është vetëm një hap që po hedh DASH me këtë popull dhe këtë vend që e do fort, por është një vend i vogël që nuk di të vetëqeveriset.
Ata që janë kundërshtarë klasik të Berishës gëzuan, hapën shampanjë, po pjesa tjetër… unë jam me Bugajskin, shumë e vështirë do jetë se si do lexohet kjo e Berishës. Në qoftë se nuk do jetë pjesë e një simfonie më të plotë, pra nqs kemi vetëm një akord goditës ndaj një personi, por duhet të na thonë.
Nuk është një emër nga PD, ai është PD. Doktori është një institucion dhe vazhdon të jetë presidenti, babai shpirtëror. Ai është babai. Është vrasja e babait të PD-së me gjithë dritëhijet. Ai mund të ketë mëkate pafund, por është vrasja e babait opozitar. Rama e përgatiti këtë makineri që gjatë fushatës, sulmonte vetëm Berishën e Metën. Administrimi i një situate të vështirë siç është kjo për opozitën i jep detyrë opozitës të shfaqet në Uashington dhe të lexohet saktë se cila është ajo. Do të thotë që është një dështim i punës së saj në lidhje me çfarë është Edi Rama sot, është e mira e Shqipërisë apo është e keqja e Shqipërisë dhe e treta të kuptojmë cili është skenari amerikan në Shqipëri. Shqipëria duhet të jetë një vend paqësor pavarësisht demokracisë? Ç’është kjo demokracia? E di çfarë u miratua sot, sot u vendos në Këshillin e Europës Green Pass. Sot nuk del dot pa një pasaportë shëndetësore, ajo që u quajt gjëja më e shtrenjtë. Totalitarizmi planetar po përparon shumë. Viktor Hygoi nuk ishte një njeri dosido që vdiq në emigracion politik. Një shkrimtar aq i madh që është emblema e Francës vdiq jashtë Francës. Pse? Sepse nuk mbijetonte dot, ose kishte probleme shumë të mëdha me autoritarizmin e kohës”, deklaroi Zheji.

Nga ana tjetër Lubonja tha se kjo opozitë duhet të jetë më luftarake për të sqaruar pozicionin e saj dhe luftën që bën.
“Në fund fare tema është PD, çfarë do të bëjë. Një nga analizat që duhet të PD është se sa bindëse ka qenë dhe sa me dinjitet ka qenë për të bindur këta partnerë që me çfarë kemi të bëjmë, për të na sqaruar dhe ne shqiptarët më mirë. Ndoshta partneri është i bindur por ka bërë këtë zgjedhje për qëllime, 1,2,3.
Do isha shumë dakord me problemet që ka për demokracinë sikur të kishim një opozitë që ka lidhur pakt me teorizimin apo me një kthim të Shqipërisë në një vend islamik. Kemi rastin e Egjiptit, u bënë një palë zgjedhjet, fitoi ai që e dënuan më pas. Për arsye se aty mori një lloj fundamentalizmi islamik, bashkë me një grup shtetesh u rrëzua dhe u vu ky që është tani që është diktator. Për arsye gjeopolitike ndoshta mund të mbyllë një sy. Po me sa e njohim nuk kemi rastin e një opozite të tillë. Kemi një opozitë të nënshtruar, pro amerikane e proevropiane. Kjo opozitë duhet të jetë më luftarake për të sqaruar pozicionin e saj dhe luftën që bën.


E dyta, u tha që Berisha mbrojti PD. Nuk mendoj që duke të hequr ty patriarkun, vëllain e madh dhe ia lë pushtetin vëllait të vogël, u pastroka.
Në rastin konkret unë mendoj që po të lëshosh është detyrë e PD të sqarojë se pse mbron dhe Sali Berishën sot. Është detyrë që ta mbrojë. Berisha mund t’i lërë të qetë, ata nuk duan ta lënë të qetë. Në qoftë se ata nuk mbrojnë dot liderin e tyre, unë nuk kam fije shpresë si qytetar se do më mbrojnë mua.
Edhe që shkon ai që kërkon sqarimin. Ai nuk thotë pse më hoqët vizën, ai thotë kjo është shpifje.
Asnjë lider në Ballkan nuk është i pastër, të gjithë mund t’i marrësh t’i futësh për korrupsion, atëherë ky selektivitet çfarë qëllimi ka, kujt i shërben. Në qoftë se PD nuk e kupton se kjo është futja e saj në rresht, atëherë ne të ikim tek Viktor Hygo, të ikim në Londër. Nëse duan kështu shqiptarët ok, dhe amerikanët por të mos na flasin për demokraci”, deklaroi Lubonja.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb