Partia Demokratike ka reaguar nëpërmjet deputetit Enkelejd Alibeaj për atentatin në Lushnje ku u vra Bledar Muça dhe u plagos kunati i tij bashkë me 4 qytetarë të tjerë që ishin rastësisht në lokal.

Alibeaj thotë se krimi sot në Shqipëri është i sigurtë përballë shtetit të gjunjëzuar.

Ai thekson se e vetmja mënyrë për të pasur rend e siguri është ndarja përfundimisht e politikës nga krimi.

 

STATUSI NGA ENKELEJD ALIBEAJ

Ngjarja kriminale e Lushnjës risolli edhe njëherë para syve të shqiptarëve hendekun mes realitetit të hidhur në të cilin jeta e qytetarëve vihet çdo ditë në rrezik dhe propagandës së gënjeshtrave që ushen dhe ushqehet nga Rama, ku parësore është tallavaja dhe hilet e një komunikimi të rremë që prodhon vetëm fjalë boshe.

Gjendja e ankthit dhe pasigurisë që mbizotëron sot në Lushnjë dhe kudo, është pasojë e sigurisë që gëzon krimi përballë një shteti të gjunjëzuar, dhe i modelit të instaluar nga regjimi Rama-Doshi, ai i aleancës me krimin. Rënia e rendit dhe sigurisë, humbja dhe shkatërrimi i jetëve, janë produkt i amoralitetit që ndërtoi këtë model për përfitime elektorale, duke bërë policinë të paaftë për t’u përballur me krimin dhe qytetet të pasigurta për familjet shqiptare.

Këto dy Shqipëri, ajo e karikatorëve që zbrazen duke vrarë e lënduar dhe ajo imagjinare e rrjeteve sociale të Edi Ramës, që i përdor si kamuflim për krimin dhe korrupsionin si instrumente politike të regjimit, janë të papajtueshme me njëra-tjetrën. Që Shqipëria reale të jetë e çliruar nga frika dhe nga makthi i një pushteti të bërë njësh me krimin, duhet ndëshkuar modeli i ndërtuar nga regjimi Rama-Doshi, duhet ndarë përfundimisht politika nga krimi. Kjo është e vetmja mënyrë për të pasur rend dhe siguri, e vemja mënyrë që qytetarët të jetojnë të sigurt në qytetet dhe fshatrat e tyre.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb