Shkollat në të gjithë vendit kanë hapur dyert mëngjesin e sotëm dhe kanë mirëpritur nxënësit e parë që do të frekuentojnë ato.

Nga 1 shtatori, deri më datë 24, është parashikuar të bëhet orët mësimore përsëritëse.

Për të folur rreth këtij zhvillimi, por jo vetëm, në rubrikën “Opinion”“News 24”, ishte e ftuar zv. ministrja e Arsimit Nina Guga. Ajo tha se ditën e sotme ka inspektuar mësimin në shkollat e qytetit të Fierit dhe Vlorës. Sipas Gugës, prezenca e nxënësve ka qenë e shumtë. Ajo nënvizoi se frekuentimi i këtyre ditëve është me dëshirë dhe nxënësit që nuk marrin pjesë nuk do të penalizohen. Gjithashtu shtoi, se krahas mësimit, shkollat ofrojnë dhe aktivitete të tjera artistike e sportive. Sakaq, zv. ministrja e Arsimit tha se vaksinimi i mësuesve është i detyrueshëm, e ky proces duhet të përfundojë më 30 shtator.

Guga tha ndër të tjera, se Ministria e Arsimit dhe Komiteti Teknik i Ekspertëve janë në komunikim sistematik me njëra-tjetrën dhe në bazë të dinamikave do të përcaktohet se si do të realizohet mësimi, pra do të kemi skenarë të mësimit online, apo nëpër klasa.

Nina Guga: Të gjithë drejtuesit e Ministrisë së Arsimit janë në terren, për të parë nga afër mësimin plotësues. Sot jemi në ditën e parë të mësimit plotësues. Ashtu siç ishin marrë të gjitha masat, ishin përgatitur që sot do të fillonte mësimi plotësues. Dita e parë ka filluar normalisht, me pritshmëri të mira dhe konkretisht në dy qytete, Fieri dhe Vlorë që jam aktualisht, konstatuam që ka pjesëmarrje të mirë të nxënësve. Siç dihet është mësim plotësues, por varet prezenca nga vetë nxënësit. Pjesëmarrja ka qenë e mirë.

Mësimi plotësues është me dëshirë. Pra nxënësit nëse duan mund ta ndjekin e në të kundërt jo. Po atëherë çfarë kuptimi ka mësimi plotësues, sepse dihet që fëmijët nuk duan ta nisin kaq shpejt shkollën.

Nina Guga:
Shkolla sot është e hapur për të gjithë nxënësit. Nxënësit me dëshirë mund të ndjekin mësim, ndërsa shkolla ka hapur dyert edhe për aktivitete të tjera sportive, shplodhëse. Nxënësi që nuk do të ndjekë mësimin, shkolla është e hapur edhe për aktivitete të tjera, si ato sportive, argëtuese, artistike, që të gjitha shkollat kanë planifikuar. Sot në Vlorë një pjesë e nxënësve kishin preferuar të bënin aktivitet buzë detit. Nxënës të tjerë i gjeta duke luajtur, disa të tjerë në bibliotekën e shkollës. Interesante m’u duk që një mësuese e klasës së dytë i kishte thënë që t’ia paraqisnin me një vizatim ndjesinë për periudhën e verës.

Sa zgjat mësimi plotësues zonja Guga?

Nina Guga: Dy deri në tre orë në ditë. Kjo varet nga programimi që shkollat kanë bërë. Ata bëjnë përsëritje të klasës që kanë përfunduar. Nëse ata sot janë në klasën e shtatë, ata do të bëjnë përsëritje me njohuritë e klasës së gjashtë.

Në përfundim të këtij procesi, a mund të vihen re vakancat te ata fëmijë që nuk kanë preferuar të ndjekin mësimin plotësues, në krahasim me ata që kanë preferuar ta ndjekin.

Nina Guga: Po, sepse çdo mësues bën verifikime të frekuentimit të nxënësve. Pjesa tjetër që nuk ka preferuar të ndjekë këtë mësim. Mësuesit kanë evidentuar mungesat e nxënësve që nuk kanë preferuar të vijnë. Kjo nuk do të penalizojë nxënësit, e për çdo nevojë do të kenë mësuesit do t’i ndihmojë ata.

Përse vendosët që ky proces të mos ishte i detyrueshëm?

Nina Guga: Përderisa ne e kishim parashikuar një javë mësimore, me kërkesë të vetë nxënësve, prindërve dhe stafeve mësimore, u gjykua që ardhja në ndihmë e këtyre koncepteve do të ishte mirë me kohëzgjatje më të gjatë. Kjo erdhi si rezultat edhe i diagnostikimit që neve bëmë, por edhe të dy viteve që pasuam procesin mësimor në kushte pandemie. E lamë në kërkesat e tyre këtë gjë. Ka pasur dhe shkolla që e kanë bërë mësimin me kushte optimale. Procesi mësimor s’ka qenë i njëjtë.

Ministrja Kushi ka bërë thirrje për vaksinim. Është lënë një afat që deri më 30 shtator duhet të vaksinohen të gjithë. Sa mësues janë ende të pa vaksinuar?

Nina Guga:
Deri në 80 % të mësuesve janë vaksinuar me 1 ose 2 doza. Ka një pjesë të mësuesve që e kanë kaluar COVID-in dhe janë në proces për të kaluar vaksinimin. Unë edhe njëherë i bëj thirrje mësuesve ta shfrytëzojnë këtë moment, sepse stafet duhet të kenë përgjegjshmëri të lartë.

Por nëse ndonjë nga mësueset vendos që të mos e bëjë vaksinën, do përjashtohet?

Nina Guga: Nëse ndonjë mësuese ka një arsye që nuk e bën, do të merret në konsideratë arsyeja që nuk e bën, por do të jetë në vëzhgim.

Asnjë mësues pas 30 shtatori i pavaksinuar s’mund të japë mësim?

Nina Guga: Do të vlerësohet.

Pse u shtye viti i ri shkollor?

Nina Guga: Pikërisht sepse u zgjat mësimi plotësues, që u bë deri në 4 javë.

A keni ide si do të procedohet më tej, si do të zhvillohet mësimi?

Nina Guga:
Ne mbajmë komunikim të vazhdueshëm me Komitetin Teknik të Ekspertëve. Kështu që në funksion të dinamizmit, ne do të zbatojmë protokollet dhe në çfarë skenarësh do të kalojë pjesa e mësimit. Ende nuk është vendosur se si do të vijohet me shkollën, do të vijojë online, pjesërisht online apo do të kthehemi në ambientet fizike.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb