Gjyqtarja e vetme Saida Dollani vendosi të pranojë kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për të rikthyer për rigjykim ish-ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu, që konsiderohet si një nga përgjegjësit për tragjedinë e Gërdecit.

Gazetarja Klodiana Lala ka dhënë detaje për seancën e sotme në dhomën e Këshillimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit, teksa sqaroi dhe procedurat se si do të vijojë më tej çështje.

“Vendimi është marrë në dhomën e këshillimit. Dollani vendosi të shfuqizojë vendimin e Shkallës së Parë dhe revokoi vendimin e Gjykatës së Lartë që kishte pushuar në 2009 çështjen penale ndaj Mediut. Ai akuzohet për shpërdorim detyre kryer në bashkëpunim, dhe shpërdorim detyre në bashkëpunim me kuadrin e lartë ushtarak”, tha Lala.

Çfarë do të thotë ky vendim tani, si do të procedohet?
Ligjërisht ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu i cili u mor në 2009 si i pandehur, ka të drejtën t’i drejtohet Gjykatës së Lartë me rekurs, pasi ky vendim i gjyqtares Dollani të zbardhet. Derisa Gjykata e Lartë të shprehet me vendim përfundimtar, nuk mund të rinisë gjykimi në Shkallën e Parë. Nëse z. Mediu nuk e ushtron të drejtën e rekursit, atëherë mund të nisë gjykimi.

Nuk mund të parashikohet sa kohë do të duhet. Sikurse dihet Gjykata e Lartë është e tejmbushur me dosje, megjithatë në çështje të tilla ka një lloj përparësie. Nëse Mediu nuk ushtron të drejtën e rekursit, koha e hapjes së gjykimit për një nga dosjet më të rëndësishme mund të nisë më shpejt në Gjykatën e Posaçme.
Në një proces të zhvilluar në 2009-2010-2011 e në vijim janë dënuar një numër i madh personash që janë konsideruar fajtorë. E vetmja dosje që ishte veçuar, kishte të bënte me ish-ministrin Mediu sepse në ligjin e kohës në 2009, parashikohej që zyrtarët e lartë gjykoheshin nga Gjykata e Lartë. Dosja u dorëzua nga Prokuroria e Përgjithshme në Gjykatën e Lartë, z. Mediu fitoi imunitetin e deputetit dhe ndaj Gjykata e Lartë vendosi ta pushojë çështjen. Për vite me radhë Prokuroria nuk e ushtroi të drejtën për ta rifilluar këtë çështje.

A ka pasur familjarë të viktimave të Gërdecit që kanë pritur vendimin e sotëm?
Kjo dosje është rivënë në lëvizje nga ana e SPAK pas një ankese të bërë nga Zamira Durda e cila ka humbur djali ne saj të mitur në tragjedinë e Gërdecit, dhe për shkak të kërkesës së saj SPAK u vu në lëvizje dhe kërkoi rihapjen e dosjes në Gjykatën e Lartë. Gjykata e Lartë ia dërgoi Gjykatës së Posaçme për kompetencë. Duke qenë në dhomë këshillimi nuk kanë qenë të pranishëm palët, sepse shqyrtimi në dhomë këshillimi bëhet vetëm mbi bazën e dokumentacionit. Nuk ka pasur prani të familjarëve të viktimave të Gërdecit. Të gjitha gjasat janë që ata të presin lëvizjet e zotit Mediu.
Nuk ka pasur prani të asnjërës palë, as për Prokurorinë dhe as për personin e pandehur, apo familjarë. Ajo që nuk dimë janë argumentet ku është bazuar gjyqtarja Saida Dollani për të marrë këtë vendim.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb