Nga KLODIANA LALA*

TIRANE – Dritan Zagani, ish-shefi i sektorit të Antidrogës në policinë e Fierit do të ulet në kafazin e hekurt në gjykatën e Krimeve të Rënda, për të dhënë llogari se pse hetoi trafikantët jashtë juridiksionit të tij. Prokuroria e Krimeve të Rënda përfundoi hetimet ndaj Zaganit, i cili akuzohet për shpërdorim detyre dhe moskallëzim krimi. Në të njëjtin proces me ish-zyrtarin e lartë të policisë, do të gjykohen edhe shtatë të pandehur, të dyshuar si pjesë e një grupi kriminal që trafikonin hashash nga Shqipëria drejt Italisë. Më poshtë dosja e plotë e prokurorisë, ku ndër të tjera thuhet se Dritan Zagani shkëmbente sekrete hetimore me shtetas të huaj pa lejen e eprorëve. Në dosje nuk sqarohet nëse këto shkëmbime informacioni ai i bënte me trafikantë apo me agjentë të huaj antidrogë. Po kështu, nuk përmendet nëse ai ka dekonspiruar ose jo operacionet e policisë.
Dosja
e prokurorisë
Më 24 dhjetor 2013, midis orës 20:00 e 21:00 në zonën e njohur si Hidrovori në bregdetin e Vlorës, policia e Vlorës në bashkëpunim me forcat e Policisë Kufitare ka ndërmarrë një kontroll të përgjithshëm të zonës, pasi kishin sinjalizime se një gomone po i afrohej bregut të detit për të ngarkuar lëndë narkotike dhe për t’u larguar më pas në drejtim të Italisë. Gjatë këtij kontrolli është gjetur i braktisur një automjet i markës “Mercedes Benz Vito”, me targa AA xxx DF, ku brenda tij gjendeshin të ngarkuara disa çanta me lëndë narkotike, që me vonë rezultoi se ishin 710.7 kg hashash. Në vijim të kontrollit në këtë territor është bërë i mundur pas pak çastesh në një largësi prej afro 1 km në vijë ajrore gjetja edhe e një tjetër automjeti të braktisur me ngjyrë të bardhë, i tipit “Fiat Ducato”, me targa FR xxx A taksi, ku në një distancë rreth 1 metër pranë tij ishin të hedhura gjashtë çanta me ngjyrë të zezë të mbushura me një sasi prej 205.6 kg lëndë narkotike. Rreth orës 20:45 në vendin e quajtur “derdhja e Pashait” në bregdetin e Vlorës afro 500 metra pa shkuar aty, u konstatua i braktisur në anë të detit një mjet lundrues gomone ngjyrë gri rreth 6 metra i gjatë me mbishkrimin “Fler xxx”, me një motor të madh pa mbishkrime. Anës së detit afër gomones u gjet edhe një motor i vogël i braktisur pa mbishkrime. Dy automjetet e mësipërme, çantat e mbushura me pako me lëndë narkotike e llojit “cannabis sattiva”, tre bidonët të mbushur me karburant, gomonia dhe motori i ujit u sekuestruan me cilësinë e provës materiale.
Përgjimet
Për të identifikuar trafikantët e drogës, prokuroria ka marrë autorizim nga gjykata dhe ka vënë në përgjim celularët e disa prej të dyshuarve. Nga hetimet ka rezultuar se i pandehuri Jorgo Naçi nga data 20.12.2013 deri në datë 24.12.2013 ka tentuar të kryejë trafikimin e një sasie prej afro 908 kg lëndë narkotike, e cila u bllokua nga policia. Hetimet kanë nxjerrë në dritë se për sasinë prej 205.6 kg lëndë narkotike e sekuestruar në furgonin e bardhë të tipit “Fiat Ducato”, me targa FR xxx A taksi, i pandehuri Jorgo Naçi ka bashkëpunuar ngushtësisht me të pandehurit Athenajdo Abazi, Saimir Shosha, Agur Malaj, Vehap B., e Edison Latifaj si dhe me disa shtetas të tjerë të paidentifikuar plotësisht akoma. Kjo sasi lënde narkotike është siguruar prej të pandehurve Athenajdo Abazi e Saimir Shosha me qëllim trafikimin e saj, ku pas eksportimit në Itali do të merrnin pjesën e fitimit. Të pandehurit Agur Malaj e Vehap B., e kanë mbajtur të fshehur në fshatin e tyre këtë sasi lënde narkotike dhe e kanë dërguar afër bregdetit për ta ngarkuar në gomone, më datë 24.12.2013, ndërsa i pandehuri Edison Latifaj ka bashkëpunuar me të pandehurin Jorgo Naçi në të gjitha fazat deri sa ka ndërhyrë policia. I pandehuri Jorgo Naçi krahas kësaj sasie lënde narkotike ka bashkëpunuar me shtetas të tjerë, për të cilët vijojnë hetimet edhe përsa i përket sasisë tjetër prej 710.7 kg lëndë narkotike të llojit “cannabis sattiva” të sekuestruar në automjetin e markës “Mercedes Benz Vito”, me targa AA xxx DF, e cila do t’i bashkohej sasisë prej 205.6 kg lëndë narkotike të llojit “cannabis sativa” të sekuestruar në furgonin e bardhë të tipit “Fiat Ducato”, me targa FR xxx A taksi. Me të pandehurin Niko Brahimaj, i pandehuri Jorgo Naçi ka bashkëpunuar në drejtim të sigurimit të kushteve, rrethanave, mjeteve të përshtatshme për transportimin e lëndës narkotike nga brigjet italiane të Leçes për në thellësi të territorit italian.
Pastrimi
i parave
Në dosjen e prokurorisë thuhet se i pandehuri Saimir Shosha nga viti 2008 e në vijim ka zhvilluar një aktivitet ekonomik në kuadër të shoqërisë “Shosha” sh.p.k, ku ai është administrator dhe pavarësisht këtij aktiviteti, nuk justifikohen pasuritë e paluajtshme të regjistruara në emrin e tij. Këtyre të dhënave u shtohen edhe disa transaksione të kryera me shtetasin Alban Canaj (Bledar Mahmutaj), i cili më datë 16.11.2012 është arrestuar në Gjermani, pasi i janë sekuestruar 335 kg mariuanë. Nga kjo analizë dhe nga provat e mbledhura, provohet se i pandehuri Saimir Shosha gjatë viteve 2008 e në vijim ka përdorur në aktivitetin e tij tregtar në fushën e ndërtimit, para të fituara nga trafikimi i lëndëve narkotike, e në vijim me këto para janë përfituar pasuri të paluajtshme, të cilat i ka regjistruar në emrin e familjes e bashkëpunëtorëve të tij. Ndërsa për të pandehurin Athenajdo Abazi (Armand Abazi ose Amarildo Abazi) vijoi përgjimi i numrit celular 069xxxxx në përdorim të tij edhe gjatë muajit janar 2014, ku nga këto përgjime dhe nga prova të tjera të administruara rezultoi se ai ka bashkëpunuar me të dënuarit Gani Shahaj e Ermal Daja në shitjen dhe mbajtjen pa leje të sasisë prej 109 kg lëndë narkotike të llojit “cannabis sativa” të sekuestruar me datë 13.01.2014 në aksin rrugor Vlorë-Fier në fshatin Levan. Për sasinë e mësipërme të lëndës narkotike janë arrestuar në flagrancë dhe më pas akuzuar dhe dënuar shtetasit Gani Shahaj e Ermal Daja.
Implikimi
i Zaganit
Dritan Zagani, me detyrë ish-shefi i Sektorit të Luftës Kundër Narkotikëve pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier gjatë operacionit për arrestimin e të pandehurve Gani Shahaj e Ermal Daja më datë 13.01.2014 në aksin rrugor Vlorë-Fier në fshatin Levan, ku iu sekuestrua një sasi prej afro 109 kg lëndë narkotike e llojit “cannabis sattiva”, duke shpërdoruar detyrën e tij nuk ka orientuar hetimet e kësaj çështjeje në mënyrë proaktive, si dhe nuk ka zbatuar siç duhet rregullat procedurale penale. Po ashtu, gjatë muajve janar-mars 2014, ky i pandehur ka kryer veprime, të cilat janë jashtë kompetencës së tij lëndore dhe territoriale që kanë të bëjnë me vëzhgimet e lëvizjes së personave, vendeve e sendeve pa pasur më parë një hetim të filluar për këta shtetas. Ka mbajtur kontakte dhe ka shkëmbyer informacione të natyrës sekrete hetimore me shtetas të huaj të paautorizuar për këtë lloj bashkëpunimi si dhe pa pëlqimin paraprak të eprorëve të tij, etj. Gjithashtu, ky i pandehur më datë 01.03.2014 ka ardhur në dijeni të një krimi të ndodhur në qytetin e Vlorës të kryer nga shtetasit Inajete Duka e Klodjan Duka dhe nuk ka reaguar me njoftim, kallëzim apo me deklarime para autoriteteve kompetente, etj.

(ar.sh/GazetaShqiptare/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb