Ish-deputetja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Silva Caka, ka ankimuar ditën e sotme në Gjykatën Kushtetuese ndryshimet dhe shtesat në ligjin për “vetëqeverisjen vendore“.

Caka në fjalën e saj përpara mediave u shpreh se ndryshimet në ligjin për qeverisjen vendore tjetërsojnë kompetencat e Këshillit Bashkiak në lidhje me tjetërsimin e pronave publike dhe dhënien e tyre në përdorim ndaj personave të tretë.

Sipas saj ky ligj rrit mundësinë e abuzivizmit nga kryetarët e Bashkive si dhe kryetarët e Këshillave Bashkiakë, pasi dhe vetë votimi i vendimeve tashmë kërkon një shumicë të thjeshtë dhe jo të cilësuar si ligji i mëparshëm.

Kjo sipas ish-deputetes bie ndesh me rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe ndaj LSI kërkoi shfuqizimin e këtij ligji në Gjykatën Kushtetuese.

“Sot ishim në Gjykatën Kushtetuese për të depozituar një kërkesë lidhur me shfuqizimin e ndryshimeve dhe shtesave që atakojnë ligjin për qeverisjen vendore. Është një ligj antikushtetues i miratuar nga mazhoranca e mëparshme që fatkeqësisht është dhe mazhoranca aktuale. Në mënyrë të përmbledhur më lejoi të shpjegojë të asaj çfarë përmban ky ligj antikushtetues në gjykimin tonë.

Ligji synon të ndryshojë kompetencat e Këshillit Bashkiak, ligji i vjetër parashikonte tjetërsimin dhe dhënien në përdorim të pronave publike në favor të të tretëve. Ligji i ri synon ta tjetërsojë këtë kompetencë. Mbi të gjitha tjetërsimi jo vetëm që bën ndarjen e tjetërsimit të dhënies së pronës publike nga dhënia në përdorim, por njëkohësisht synon që këto kompetenca ti bëjë në mënyrë jo transparente, pa kritere dhe çka e bën një praktikë abuzive në duart e kryetarëve të bashkive dhe kryetarëve të këshillave bashkiakë.

Ndryshimi i dytë që na shqetëson më tepër është shumica me të cilat kryhet vendimmarrja, ligji i vjetër kërkonte një shumicë të cilësuar, ligji i ri kërkon një shumicë të thjeshtë.

Ishte komisioni i Venecias ai që rekomandonte se çështje me interes publik, duhet të kalonin përmes votimit me shumicë të cilësuar dhe jo me shumicë të thjeshtë, është ky kontroll, zëri ndryshe ai që përcakton se cili është interesi më i madh i qytetarëve. Ne nuk duhet të heqim dorë nga votimi me 3/5 dhe 2/3.

Vendimarrja duhet të jetë gjithëpërfshirëse, ku të përfshihet dhe opozita dhe mazhoranca, por kjo është një praktikë e ndjekur shpesh nga mazhoranca aktuale dhe ndaj sot ne jemi këtu si qytetarë dhe si politikanë.

LSI ka në plan të depozitojë në Gjykatën Kushtetuese një masë të madhe ligjesh që i kemi punuar gjatë kësaj kohe. Ne duhet të mos mbesim më në rrafshin e denoncimeve, çdo ligj që ne e konsiderojmë që shkel interesin e qytetarëve”, tha Caka.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb