Qendra Kombëtare e librit dhe leximit ka hapur tetorin e librit nën moton “Fajin ma ka gjuha” që shënjohet përmes një sërë aktivitetesh që promovojnë autorë shqiptarë e të huaj por edhe me propozime konkrete për nxitjen e leximit e përhapjes së librit.

“Artikulova rëndësinë që mund të kishte krijimi i një ligji për leximin. Sot pas diskutimeve që kam pasur me secilin prej jush e quaj të rëndësishme nisjen e punës për realizimin e një ligji të tillë që jo vetëm do të ndihmojë në rritjen e një brezi që do ta bëjë më të mirë shoqërinë nesër, por edhe do i japë fund një sërë problemesh me të cilat përballemi si komunitet.”, tha Alda Bardhyli, drejtoreshe e Qendrës se Librit

Sipari u ngrit me një takim mbi politikat e problematikat e librit si edhe nevojat e ndërhyrjes shtetërore.

“Të dalim me një kërkesë të përbashkët sepse kemi nevojë të shtyjmë shtetin. Në radhë të parë përmes amendimit të ligjit të librit, t’i bëhet kjo ministrisë, ose parlamentit. Por ka nevojë urgjente. Duhet ndërhyrja e shtetit, çështja e bibliotekave sidomos të rretheve, s’ka asnjë libër të ri. Nuk ka kuptim një bibliotekë pa libra të rinj. Bibliotekat janë në varësi të bashkive, por shteti mund të ndërhyjë dhe kjo mund të jetë te ligji, të vihet detyrim për blerje librash. Është një kancer i vjetër.”, pohoi Piro Misha, drejtor i Bibliotekës Kombëtare.

Shoqata e botuesve kërkoi edhe hapjen e shkollave ndaj aktiviteteve të librit.

“Që nga çështja e fondeve, te bibliotekat, për mbështetjen e shkrimtarëve të rinj. Shkojmë në qytete e s’kemi biblioteka e as librari. Duhet të hapet shkolla për librin, shkolla pa librin është e vdekur, dhe libri pa shkollën është i vdekur.”, tha Petrit Ymeri, kryetar i shoqatës së botuesve. Probleme të tjera që u parashtruan kanë të bëjnë me taksat mbi librin dhe krijuesin dhe fiskalizimi që po mbyll libraritë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb