Publikohet historia e panjohur e ruses Taisa Batkina (Pisha), me origjinë nga Tula e Rusisë, fëmija e tretë e një familje shumë të varfër fshatare, e cila mbeti jetim që në moshë fare të vogël, pasi i ati humbi jetën gjatë punës në një nga galeritë e qymyrgurit që ndodheshin në rrethinat e Tula-s, ku ai punonte si minator, (pak kohë pasi i kishte shpëtuar arrestimit, i akuzuar për “mbështetje të armiqve të popullit”) dhe ajo u rrit me vështirësi të mëdha ekonomike, pasi qyteti i tyre vazhdonte të ishte nën bombardimin e forcave gjermane, që kishin arritur deri në afërsi të Kurskut. Diplomimi i Taisës në fakultetin e Kimisë, pranë Universitetit ‘Lomonosov’ të Moskës, ku ajo u njoh dhe u martua me studentin shqiptar, Gaqo Pisha, me origjinë nga qyteti i Korçës, i cili asokohe studionte në fakultetin e Filozofisë së Moskës dhe të dy së bashku në vitin 1957, u kthyen në Shqipëri, bashkë me djalin e vogël të porsalindur, Sasha dhe filluan jetën në qytetin e Tiranës, ku Taisa u emërua si pedagoge e Kimisë në Universitetin Shtetëror të Tiranës, ndërsa Gaqo, në katedrën e marksizëm-leninizmit, ku ata punuan deri në vitin 1976, kur Sigurimi i Shtetit me akuza të montuara, e arrestoi Taisa Batkina, duke e akuzuar si “agjente të KGB-së sovjetike” dhe e dënoi me 16 vite burg politik, të cilat ajo i vuajti në “Burgun e grave” në Qytetin “Stalin”, nga ku u lirua në vitin 1986, ndërkohë që bashkëshorti, Gaqo Pisha, kishte ndërruar jetë në vitin 1983, nga një sëmundje e rëndë. Historia tragjike e Taisa Batkina (Pisha), nëpër kampet dhe burgjet çnjerëzore të regjimit komunist të Enver Hoxhës, ku ajo kaloi një dekadë të jetës së saj, së bashku me shumë bashkatdhetarë nga ish-Bashkimi Sovjetik, apo vende të tjera të Evropës Lindore, vjen nëpërmjet kujtimeve të saja, të botuara në një libër me titull “Shpresuam dhe mbijetuam”, kujtime të cilat, i biri i saj, Aleksandër Pisha, ia ka ofruar me dashamirësi për botim, në Memorie.al

Pjesa e njëzet e gjashtë

I’a kushtoj kujtimit të ndritshëm të bashkëshortit tim, GAQO PISHA

Ky është libër kujtimesh. Në të dua të rrëfej për jetën time dhe të shoqeve të mia, grave sovjetike, që provuan burgun për disa vite vetëm sepse morën guximin dhe u martuan e lidhën fatin e tyre me atë te studentëve shqiptarë. Burgu ishte pjesë e GULAG-ut të madh në vendin e vogël ballkanik, Shqipëri, ku për shumë vite sundoi regjimi gjakësor komunist i Enver Hoxhës, që ishte nxënës besnik i Stalinit dhe vazhdues i kauzës së tij.

Nëpërmjet këtij libri do të doja që çdokush të mësonte për provat çnjerëzore që përjetuam ne dhe për vitet e tmerrshme qe kaluam në burgjet shqiptare, vetëm sepse… dashuruam! Dhe që askush dhe kurrë të mos harrojë, ç’është totalitarizmi, despotizmi dhe ç’pasoja sjell me vete ky sistem.

Vijon nga numri i kaluar

Silvana

Pas njëfarë kohe ajo thoshte vetë, që vëllai nuk do të bëhej më mirë. Kështu kaluan vitet e burgut për Silvanën e bukur dhe aq të mirë. Ajo bëri afër 7 vjet dhe u lirua bashkë me ne pas amnistisë së vitit 1986. Nuk di më gjë për Silvanën, ajo vajti në Kukës, unë ika nga Shqipëria. Thonë që ka vajtur në Australi.

Dy Bedrijet

Deri tani kam shkruar vetëm për gratë shumë të mira dhe shumë fatkeqe shqiptare. Por në kamp kishte edhe të tjera, që të helmonin jetën, krijonin atmosferë të padurueshme. Nuk ma ka qejfi të shkruaj për to, por po përmend më të spikaturat. Kur na prunë në kamp, na pritën shoqet tona, që kishin ardhur këtu para nesh dhe tanimë ishin mësuar dhe përshtatur disi. Ato na treguan për jetën në kamp, për kushtet, se kujt duhet t’i qëndronim larg, kujt duhet t’ia kishim frikën. Midis shumë të tjerave, dalloheshin dy Bedrijet. Bedrije Ashiku, grua shtatlartë, e thinjur, me mbetje të bukurisë së dikurshme, por me fytyrë të ligë, dinake prej skileje. Ishte nga qyteti verior Shkodra, por s’kishte asgjë të përbashkët me fshataret malësore, të dashura e të mira, çuditërisht të pastra. Ishte intrigante dhe spiune e lindur. Akuza për të kishte qenë: “tentativë për kalim të kufirit”. Dikur kishte qenë gruaja e një personaliteti të policisë, kishte një djalë, i cili gjoja ishte arratisur në Amerikë. Ishte vështirë të dalloje tek ajo, ku ishte e vërteta dhe ku gënjeshtra. Në kamp e përdornin gjerësisht si provokatore, si kolonë e pestë, ose dëshmitare të rreme. Të gjitha këto detyra ajo i kryente shkëlqyeshëm, por edhe spiunonte. Jo më kot nuk e donte njeri, të gjitha i shmangeshim. Bedrija vazhdimisht përpiqej të hiqej si zonjë e fisme, aristokrate.

Për njohjen e parë me Bedrijen, shumë për të qeshur, me humorin që e dallonte, tregonte Ina Shahe: “Na prunë në kamp, ku pranë derës qëndronte një grua e moshuar, e gjatë, e cila na u drejtua në frëngjisht. O Zot, – mendova, – ku kemi ardhur kështu… këtu, te dera, të flasin frëngjisht, po më tutje ç’do bëhet”?! Më tutje nuk pati gjë, Bedrija nuk dinte asnjë fjalë tjetër frëngjisht”! Ajo përpiqej të fitonte besimin tonë, të na hynte në dhomë me çdo mënyrë. Një shoqes sonë, Bedria diçka i vodhi, pastaj, kur plasi sherri, e gjeti mes sendeve te veta. E quante se kishte plotësisht të drejtë të hynte në dhomën tonë në çdo kohë. Na u desh t’i tregonim derën. Në fakt, ne ishim objekt i volitshëm, shumëkush përpiqesh të “fitonte pikë”, duke spiunuar për ne. Për të shmangur kallëzimet, ne përpiqeshim t’i rrinim sa më larg Bedrijes dhe të tillave si ajo. Kallëzimet dhe provokimet e saj meskine, ishin aq të ulëta dhe të ndyra, sa më vjen ndot kur i kujtoj. Më të vjetrat na tregonin, se, kur në kamp ishte e ndaluar të qepje dhe të mbaje gjilpërë, ajo i vinte fshehurazi ndonjërës një gjilpërë dhe menjëherë nxitonte të kallëzonte. Menjëherë bënin kontroll, e gjenin gjilpërën dhe viktimën e gjorë e fusnin në birucë. Kur Bedrije Ashiku e kreu të gjithë dënimin, pa përfituar ndonjë ulje, megjithëse qe treguar aq e zellshme dhe, më në fund, doli nga kampi, ne u gëzuam pa masë. Tani kishim një Bedrije më pak.

Por mbetej edhe një Bedrije, Bedrije Havale!

Ishte grua harbute, e vrazhdë, skandaloze, ngjante më shumë me të burgosura ordinere, se politike, por ishte te ne, në korpusin tonë, sepse ishte gjykuar sipas një neni politik. Gjatë gjithë jetës qe ngatërruar në skandale gjithfarë, sherre, rrahje, spiunime, jashtë dhe në burg. Para se ta njihnim ne, Bedrija kishte pasur disa dënime me burg dhe disa internime. Kur ishte jashtë, Bedrija shkruante kallëzime për fqinjët. E pëlqente këtë punë, gjatë gjithë jetës ishte marrë me të. Fliste nëpër mbledhje, shante pushtetin, krerët e partisë dhe e fusnin në burg. Me të dalë prej andej, gjithçka niste nga e para. Për t’i mërzitur fqinjët, mbante në shtëpi një tufë me qen dhe me mace. (Të mos i hamë hakun, Bedrija kujdesej për kafshët). Atë vit që e arrestuan për herë të fundit, mbante në oborr gati njëzet qen, të cilët nuk i linin fqinjët as të flinin të qetë, as të ecnin lirshëm në rrugë, sepse disa herë i kishin sulmuar kalimtarët. Nuk bënë efekt as lutjet, as urdhrat… dhe Bedrijen me të gjithë familjen e internuan në një fshat të largët. Mirëpo në fshat duhej punuar në ara, nuk ta jepte kush bukën falas; as Bedrija, as i shoqi dhe as djali i tyre, nuk qenë mësuar me punë të tilla. Kushtet e jetesës në fshatrat shqiptare kanë qenë shumë të rënda. Dhe Bedrija i vuri qëllim vetes… të hynte në burg. Atje e kishe të siguruar një copë bukë dhe një tas më lëtyrë; mund të rroje duke bërë shantazh dhe duke vjedhur.

Ajo nisi të mbajë fjalime para fshatarëve, të hidhte parulla, të shante pushtetin, partinë. Fshatarët e kallëzuan dhe, më në fund, Bedrijen u detyruan ta fusin brenda. Ajo nuk kishte kurrfarë bindjesh, thjesht, i duhej të shpëtonte nga internimi. Nuk ishte kundërshtare e partisë, e pushtetit, madje në të kundërt, sa herë paraqitej rasti betohej për dashuri ndaj “partisë dhe shokut Enver”…! Thjesht, karakteri prej intriganteje, natyra keqdashëse nuk e linin të qetë. Ç’nuk bënte Bedrija në korpusin tonë! Atë nuk e nxirrnin në punë, ajo nuk punonte vetë, nuk linte dhe të tjera të punonin. Në mëngjes, kur gratë e reja dhe të fuqishme ishin në punë, Bedrija i trembte plakat, ua merrte ushqimin dhe drutë e zjarrit. Vetëm pasi i’u përveshën mirë dhe e kërcënuan se do ta bënin të vdekur, i la të qeta disa. Gjatë dënimeve të përsëritura, Bedrija i përvetësoi shkëlqyeshëm rregullat dhe rregulloren e burgut. E dinte me saktësi çfarë lejohej dhe çfarë ndalohej në kamp dhe shkruante kallëzime kundër komandës. Po të kërkosh, gjithmonë e gjen një shmangie sado të vogël nga rregulli. Bedrija vërente gjithçka, i shkruante dhe menjëherë niste kallëzimin. Më kujtohet, kur punoja ndihmëse e kujdestares së derrave, një dosë duhej të pillte dhe, për ta ruajtur pjellën, kujdestaren e nxorën nga porta e kampit, të shoqëruar me roja. Por, sipas rregullit, pasi errej, të gjitha të burgosurat duhej të ishin prapa telave me gjemba dhe Bedrija menjëherë e nisi kallëzimin lart. Kujdestaren e derrave nuk e nxorën më nga kampi, gicat ngordhën. Në pjesën tonë, politike, të kampit u krijua atmosferë e rëndë. Çdo ditë plasnin skandale, rrahje, grindje dhe gjithmonë në epiqendër do të ishte Bedrije Havale, e cila e terrorizonte të gjithë korpusin. Ne kërkuam që komanda të merrte masa; drejtori ynë, që e njihte mirë Bedrijen, e dënonte, e fuste në birucë dhe ne kënaqeshim. Numëronim ditët sa të lirohej ajo. Por edhe në birucë Bedrija nuk hiqte dorë, shante mbarë e prapë, kërkonte takim me drejtorin dhe sërish bënte skandal. Puna përfundoi me arrestim tjetër të saj, pastaj e rigjykuan dhe i shtuan edhe tri vjet të tjera. Ajo provoi të futej edhe në mes nesh, por mori një përgjigje, që e bëri ta harronte rrugën për te dhoma jonë dhe të na shmangej. Ne qëndronim të bashkuara dhe e mbronim njëra-tjetrën.

Kishte edhe plot gra të tjera, të reja, të forta, që nuk i mbeteshin mangët Bedrijes. Më në fund drejtoria e burgut e humbi durimin, Bedrijen e hoqën nga ne dhe e çuan me ordineret. Ne morëm frymë të lehtësuara. Kurse Bedrija mori atë që meritonte. Ordineret e njihnin mirë, kishin qenë edhe më parë me të në burg, edhe jashtë e kishin njohur. Pas sherrit të parë Bedrijen e rrahën paq, aq sa e gjithë fytyra e saj ngjante më një njollë të madhe mavi. Ne e ndiqnim pas gardhit, si e rrihnin dhe askush nuk pati pikë mëshire, madje gëzonim, që dikush po hakmerrej edhe për ne. Bedria u ankua me shkrim në ministri, në prokurori, kërkoi që ta kthenin tek të burgosurit politikë, por nuk ia vunë veshin dhe ne njëfarë kohe ndenjëm të qeta, por me frikë, se mos na e sillnin sërish dhe sherret do të nisnin nga e para. Bedrijen e kthyen tek të burgosurat politike, pasi u ndërrua udhëheqja e kampit. Ajo vazhdoi sërish me të vjetrat, por ishte urtësuar ndjeshëm. Ordineret i dhanë një mësim të mirë dhe ajo sikur e uli kokën. Pikërisht atëherë, kur kishim frikë se na e kthenin Bedrijen, ndodhi një ngjarje tragjike politike me rëndësi dhe mënyra si e morëm vesh ne, ishte diçka për të qeshur. Ishte dhjetori i vitit 1981, ne rrinim në mensë dhe ndiqnim lajmet e fundit në televizor. Kjo ishte veprimtari e detyrueshme, pastaj gjithkush mund të merrej me punët e veta. Papritur Arziko, e burgosur, ish-punonjëse partie, personi i besuar i komandës, të cilën sapo e kishin thirrur me urgjencë, u kthye në mensë. Dukej e alarmuar. “Mos luajë njeri nga vendi! Nuk do të shkoni në korpus”! – urdhëroi ajo. Qerimja, që ishte ulur pranë meje, i’u drejtua shoqes së vet, Nadjës: “Ç’ka ngjarë? Me siguri do të na kthejnë Bedrijen këtu”! Dhe u zverdh në fytyrë nga frika. Na dukej se s’kishte egërsirë më të frikshme se Bedrija… por ngjarjet ishin të karakterit krejt tjetër.

Njoftimi për vdekjen e kryeministrit, Mehmet Shehu

Ndenjëm, pritëm. Televizorin e ndezën sërish. Ishin lajmet e fundit të mbrëmjes, të orës 10. Po transmetohej njoftim i K.Q.-së të Partisë dhe Këshillit të Ministrave për vetëvrasjen e Mehmet Shehut, bashkëpunëtorit dhe mikut më të afërt të Enver Hoxhës, kryeministër. Njoftimi u dëgjua në heshtje të paqetë. Qerimja zuri të qajë me kuje, siç e do zakoni në Shqipëri. “Hesht! – e ndaloi me zë të ulët Nadja, – nga e di ti, që duhet qarë? Mbase është e kundërta”! Qerimja heshti, edhe ne nuk folëm, heshtnim dhe vrisnim mendjen, ç’të jetë kjo vallë? Në atë periudhë, kur Enveri asgjësoi të gjithë udhëheqjen e partisë dhe të shtetit, kjo vetëvrasje s’mund të ishte e rastit. Por a ishte vetëvrasje në të vërtetë? Ç’do të thoshte kjo, fundi i përndjekjeve, apo intensifikimi i tyre? Ne s’kishim asnjë lloj informacioni. Dinim vetëm që Mehmet Shehu kishte qenë bashkëpunëtori më besnik dhe më i ngushtë i Enver Hoxhës, njeri i egër, gjakësor…! Për një kohë të gjatë kishte qenë ministër i Punëve të Brendshme. Në Shqipëri i’a kishin frikën. Ai shkonte shpesh nëpër ndërmarrje, institucione, shkolla. Shpesh, pas vizitave të tij, shkarkoheshin drejtorë, inxhinierë.

Takimi im me Mehmet Shehun në Universitet!

Një herë erdhi edhe në fakultetin tonë, në vitin 1962, menjëherë pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik. Atëherë unë jepja Kimi në Universitetin e Tiranës. Ai hyri në laborator, më bëri disa pyetje standarde. Unë u përgjigja thjeshtë. Dikush i tha që jam sovjetike. Ai m’u drejtua rusisht (Kishte mbaruar akademinë ushtarake në Bashkimin Sovjetik). “Sovjetike?! Merrni letra nga shtëpia”? – m’u kthye. “Po”, – u përgjigja. “Dhe çfarë ju shkruajnë? Që në jemi dogmatikë, tradhtarë”? (unë dridhesha e gjitha; prej tij gjithçka mund të prisje.) “Jo, – ia ktheva, – ata nuk shkruajnë për politikë, vetëm për punët e shtëpisë”. Mehmeti u kthye me vërtik dhe doli. Duhet të isha zverdhur në fytyrë. Për të më qetësuar disi, studentët nisën të bëjnë shaka, të qeshin. Nga ajo bisedë e shkurtër me Mehmet Shehun më rëndoi diçka në shpirt…! Tani na doli vetëvrasës! Çudi! Ditën tjetër në gazeta u botua një nekrologji e shkurtër me një fotografi të vogël në mes. Kurse disa muaj më pas, Mehmet Shehu u shpall armiku më i egër, poli agjent, spiun anglo-amerikano-sovjeto-jugosllav, e ku ta di unë i kujt tjetër. Pak më vonë vranë djalin e tij të madh dhe gruan, dy djemtë e tjerë i arrestuan… me një fjalë, edhe me të bënë, siç kishte bërë ai me të tjerët gjatë gjithë jetës së tij.

Lili Mitrovica

Pas rënies së regjimit komunist u botuan dokumente që provuan se kjo kishte qenë vrasje e sanksionuar, të gjithë zbatuesit dhe dëshmitarët e çështjes u likuiduan. Një kopje e skenarëve që ishin zhvilluar në Bashkimin Sovjetik në kohën e Stalinit. Midis të burgosurve ishte edhe një kategori tjetër, ajo e grave intelektuale. Kishte mes tyre mësuese, llogaritare, nëpunëse. Neni i zakonshëm i akuzës ndaj tyre ishte agjitacion dhe propaganda, afatet e dënimit, 5 deri 8 vite. Ata u burgosën, sepse baballarët e tyre, burrat apo djemtë kishin qenë në burg ose ishin pushkatuar. Bashkë me ne vuajtën dënimin gruaja dhe e bija e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Petrit Dume, të pushkatuar në vitet ’70-të bashkë me elitën ushtarake. Pas arrestimit të Petrit Dumes, e gjithë familja e tij, si dhe familjet e vëllezërve dhe motrave u internuan, pastaj një pjesë të familjes i futën në burg. Ose Lili Mitrovica. Ajo ishte e bija e Qazim Mitrovicës, njëri prej komandantëve kryesorë të reparteve ushtarake në Kosovë, që kishin luftuar kundër komunistëve jugosllavë me Titon në krye. Gjatë gjithë jetës ajo vuajti prej babait, të cilin s’e kishte parë ndonjëherë. Kishte lindur pas vdekjes së tij. Gjatë një periudhe të “lirimit të sustës”, çka ndodhte herë pas here në Shqipëri, ajo kishte mbaruar shkollën pedagogjike, por nuk e lejuan të punonte mësuese, vetëm në ndërtim mund të punonte. Vajzë e zgjuar, e bukur, shtatlartë… ajo nuk mundi të krijonte familje.

Në Shqipëri ishte vështirë të gjeje një njeri që të mos donte të dinte, ç’mendonte pushteti për vajza të tilla. E bija e Qazim Mitrovicës, padyshim, ishte armike, madje armike potenciale për organet e sigurimit. Ne u miqësuam bashkë në kamp. Ajo i kuptonte gjërat, orientohej mirë në punët e burgut, shpesh na ndihmonte të kuptonim marrëdhëniet e ngatërruara në korpusin tonë, sidomos në fillim, kur sapo kishim ardhur në kamp. Prej saj gjithmonë mund të prisje një këshillë me mend. U gëzova shumë, kur e liruan, por mbështetja dhe këshillat e saj do më mungonin. Kur dola nga burgu, e kërkova Lilin. Ajo ende punonte në ndërtim, nuk i jepnin punë tjetër. Pas rënies së regjimit të Enver Hoxhës, ajo drejtoi seksionin e grave në Komitetin e ish-të Dënuarve Politikë dhe pati mundësinë të ndihmonte shumë bashkëvuajtës. Ne ishim shoqe edhe me Ninën. Ajo ishte nga Durrësi, me profesion teknike ndërtimi. E kishte nënën ruse dhe fliste lirshëm rusisht. Në burg e futën vetëm sepse arrestuan shefin e saj. Më duket, se deshën t’i paditnin për sabotim, por nuk gjetën gjë të përshtatshme për Ninën dhe ajo “shpëtoi” vetëm me… agjitacion dhe propagandë. Nuk e mbaj mend saktë, më duket se diku nga fundi i viteve ’70-të, në kamp sollën Tefta Tasin. Ajo ishte bijë e një patrioti demokrat, që kishte luftuar kundër regjimit të mbretit Zog në vitet ’20. Babai i saj kishte qenë pjesë e qeverisë demokratike të Fan Nolit, të cilën Ahmet Zogu e rrëzoi me ndihmën e jugosllavëve. Babai i Teftës u plagos dhe bashkë me familjen emigroi në Greqi. Pas rënies së monarkisë 147 më 1939, familja u kthye në Shqipëri. Babai i Teftës u bë pjesëtar i qeverisë shqiptare, që u formua në ato vite. Në vitin 1944, pas ardhjes në pushtet të komunistëve ai u shpall armik i popullit, u arrestua dhe vdiq në burg.

E gjithë familja e tij, gruaja, vajza dhe dy djem, njerëz me shkollë dhe kulturë, u cilësuan gjithashtu armiq të popullit dhe kaluan vite nëpër burgje e internime. Pushteti u trembej njerëzve të tillë, ata dinin shumë për luftën politike në vend gjatë periudhës së ardhjes në pushtet të komunistëve dhe të Enver Hoxhës. Në kamp Tefta që në fillim kërkoi ta trajtonin si të burgosur politike. Kërkoi që ne të na izolonin nga të burgosurat ordinere, të sillnin televizor në sektorin tonë, nuk pranoi të shihte televizor në mensën e ordinereve, siç praktikohej deri atëherë. Ajo ishte shumë e pavarur, punonte me vetëmohim, kurrë nuk e ulte veten, duke ngjallur respektin e disave dhe inatin e të tjerave. Ajo, me plot të drejtë, e quante veten dhe familjen e saj kundërshtarë ideorë të pushtetit, kurse gardianët dhe rojat e burgut i konsideronte armiq, që shkelnin të drejtat elementare të njerëzve. Pas rënies së regjimit të Enver Hoxhës nëna 88 vjeçare e Teftës, Aleksandra Tasi, shkroi dhe botoi një vjershë, ku me pak fjalë përshkruhet jeta e Enver Hoxhës, njeriut, që erdhi në pushtet mbi gjakun e të afërmve, miqve, shokëve… njeriut, e gjithë jeta e të cilit qe e mbushur me krime dhe tradhti. Me këto vargje dua t’i mbyll dhe kujtimet e mija. /Memorie.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb