Nga: DARINA TANUSHI*
TIRANE- Shqiptarët festuan dje Krishtlindjen. Veç uri meve që i bënë njëritjetrit, ata morën urimet e rastit edhe nga drejtuesit e lartë të shtetit, të cilët dukej se ndiheshin më të qetë një ditë pas firmosjes së paktit në seancën e fundit të Kuvendit. Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, së bashku me Zonjën e Parë, Odeta Nishani, vizituan Katedralen “Ringjallja e Krishtit”, në Arqipeshkvinë Metropolitane Tiranë-Durrës dhe në selinë e Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë, ku u uruan personalisht festën e Krishtlindjes krerëve të bashkësive fetare të krishtera shqiptare. Me këtë rast, pas vizitës në Katedralen Ortodokse, kreu i shtetit theksoi: “Edhe njëherë gëzuar! Urimet më të mira për besimtarët e krishterë shqiptarë kudo ku janë në Shqipëri, në të gjitha viset shqiptare, në diasporë, në emigracion, paçin gjithmonë mirësi!”.

Ndërsa në Arqipeshkvinë katolike presidenti Nishani u shpreh: “Viti që vjen të jetë një vit i mbarë dhe i bardhë për të gjithë shqiptarët! Do të drejtoj një lutje dhe besoj se bashkohen në këtë lutje timen të gjithë besimtarët katolikë shqiptarë, që edhe ne së shpejti të kemi një kardinal shqiptar. Edhe një herë gëzuar dhe Krishtlindje të bukura e të mbara!”. RAMA E META Ndërsa kryeministri Edi Rama uroi në “Facebook” të gjithë besimtarët e krishterë për Krishtlindjen. “Gëzuar Krishtlindjen!”, shkroi dje Rama, duke njoftuar qytetarët se në murin e Kryeministrisë mund të shfaqeshin mesazhet e tyre. “Muri i Kryeministrisë është gati që nesër për të shkruar mesazhet e lënë fotot tuaja”, bëri të ditur dje kryeministri. “Lini në mur mesazhin apo imazhin tuaj për të ndarë gëzimin e festave me kë dëshironi dhe përmes mesazhit për të derdhur një grimcë drite në shpirtin e kujt ka nevojë për solidaritetin tuaj! Gëzuar!”, mbyllej urimi i djeshëm i kryeministrit Rama. Kryeministri uroi përmes një kartoline, ku ai shfaqej me një prej fëmijëve të komunitetit të atyre familjeve që kanë humbur babain për shkak të detyrës si punonjës policie. Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta uroi dje, të gjithë besimtarët e krishterë me rastin e festës së Krishtlindjes. I shoqëruar nga bashkëshortja e tij, deputetja Monika Kryemadhi, Meta kreu vizitën e rastit në Kishën Ortodokse Autoqefale. Duke folur për median pas vizitës, kryetari i Kuvendit uroi që kjo ditë të sjellë sa më shumë mbarësi për familjet shqiptare dhe për shoqërinë tonë. “Në këtë ditë Krishtlindjeje do të uroja të gjithë besimtarët e krishterë, por edhe të gjithë popullin shqiptar, sa më shumë mbarësi për të gjithë, shumë urime, shumë bekime dhe gëzime në familjet e tyre, por natyrisht edhe në gjithë shoqërinë tonë!”, u shpreh Meta.

Kryetari i Kuvendit zhvilloi vizita në selinë e Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë si edhe në Arqipeshkvinë Metropolitane Tiranë-Durrës. Meta theksoi se kjo është një festë e të gjithë shqiptarëve dhe na fton të jemi më solidarë e më të bashkuar me njëri-tjetrin. “Kjo është një festë e të gjithë shqiptarëve, është një festë që na bashkon të gjithëve në familjet tona, në shoqërinë tonë dhe natyrisht që është një ditë, e cila na fton për të qenë gjithnjë solidarë dhe më të bashkuar me njëritjetrin”, u shpreh ndër të tjera kryetari i Kuvendit, Ilir Meta. OPOZITA Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zgjodhi dje Shkodrën për të uruar Krishtlindjen për të gjithë shqiptarët, duke e vlerësuar qytetin verior margaritar të bashkëjetesës fetare. “Nga margaritari i respektit dhe i bashkëjetesës fetare për Shqipërinë, Ballkanin, Europën dhe mbarë botën, nga zonja Shkodër, dua t’u uroj të gjithë besimtarëve të krishterë dhe të gjithë besimtarëve të Zotit, të gjithë shqiptarëve: Gëzuar Krishtlindjen, festën e shpresës, dashurisë e të besimit! I vetëdijshëm se kjo festë e madhe i gjen shumë shqiptarë dhe familjet e tyre, ndonëse në ditë feste jo në kushte feste, uroj nga zemra që shpresa që buron nga simbolika e ditës së sotme të na frymëzojë e të na bëjë optimistë për një të nesërme më të mirë. Gëzuar!”, tha dje Basha. Më herët ai uroi përmes një mesazhi besimtarët e krishterë gëzuar Krishtlindjen, ditën e shpresës dhe besimit që e nesërmja të jetë më e mirë. “Të dashur miq, besimtarë të krishterë, besimtarë të Zotit, Gëzuar Krishtlindjen këtë festë të dashurisë, shpresës dhe besimit! Ju uroj nga zemra të gjithë besimtarëve dhe çdo shqiptari që e nesërmja të jetë më e mirë se e sotmja, për ju dhe familjet tuaja! Gëzuar!”, shkroi Basha në faqen e tij, zyrtare në “Facebook”, ku kishte zgjedhur si foto bredhin e Krishtlindjeve të vendosur në qendër të kryeqytetit. Nga ana e tij, ish-kryeministri Sali Berisha edhe dje lëshoi kritika ndaj qeverisë, duke kujtuar varfërinë ekstreme që sipas tij ka pllakosur vendin këtë vit për shkak të rritjes së taksave.

(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: