SHBA- Një grua që besohet të ketë qenë përdoruesja më e vjetër e Facebook-ut, ka ndërruar jetë në moshën 114 vjeçe. Anna Stoehr, nga Minnesota, u bë pjesë e rrjetit social në tetor të këtij viti, ndërsa ndërroi jetë të dielën e kaluar.

Sipas “BBC”, e moshuara ka lindur në vitin 1900, viti para vrasjes së Presidentit William McKinley dhe vdekjes së mbretëreshës Viktoria. “Familja e saj nuk kishte telefon, makinë apo energji elektrike në atë kohë”, shkruan BBC.

Por për t’u bërë pjesë e rrjetit social, të afërmit e të moshuarës kanë thënë se i është dashur të ndryshonte moshën, për faktin se “Facebook” nuk kishte parashikuar regjistrimin e të dhënave (moshës), duke lejuar njerëzit për të vënë datat e lindjes së tyre deri në vitin 1905. Ndërsa më vonë kur drejtuesit e kompanisë mësuan për moshën e vërtetë të së moshuarës, i dhuruan një buqetë të madhe me lule.

Pas konfirmimit të moshës së Anna Stoehr, thuhet se shefi ekzekutiv i “Facebook” Mark Zuckerberg, tentoi për ta takuar personalisht atë, por për shkak të shtrimit të saj në spital ai nuk mundi, ndërsa më vonë kur familjarët njoftuan për përmirësimin e përkohshëm të shëndetit, kreu i kompanisë ndodhej jashtë shtetit.

Ndërkaq, një nga fëmijët e saj tha se nëna e tij ishte gjithmonë shumë aktive dhe kishte jetuar në një fermë pranë Elgin, Minesota, nga 1936 deri në vitin 2013. Ndërsa burri i saj vdiq në vitin 1998.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb