Tre persona me precedentë penalë dyshohen të jenë autorë të masakrës së ndodhur mbrë-mjen e së mërkurës në Krastë të Elbasanit. Burime nga policia dhe prokuroria e këtij qyteti dje bënë me dije se gjatë kontrolleve të kryera banesë më banesë nga RENEA, por edhe nga blutë pas ngjarjes së rëndë, tre persona të dyshuar nuk janë gjendur në shtëpitë e tyre. Ndërkohë, pohohet se dyshimi në autorësinë e sulmit me armë të këtyre personave (emrat e të cilëve nuk bëhen me dije) ndaj pjesëtarëve të fisit Çapja dhe të afërmve të këtyre të fundit, bazohet dhe në faktin se ata janë larguar menjëherë nga Shqipëria.
Ky dyshim mbetet për t’u verifikuar gjatë ditëve në vijim, pasi deri tani nuk ka prova konkrete që i implikon direkt në ngjarjen e përgjakshme ku mbetën të vrarë: 50-vjeçari Agron Çapja, nipi i tij 27-vjeçar, Ardit Sinakoli dhe miku i tyre 38-vjeçar Eno Bedalli. Ndërsa u plagosën rëndë: Fejzulla Çapja 58 vjeç, Ferit Muça 42 vjeç, Luan Muça 47 vjeç, Bujar Rreshka 40 vjeç, Florenc Çapja 35 vjeç, Erdis Sulku 33 vjeç si dhe Arnold Çapja 23 vjeç.
Ndërkohë, burime zyrtare nga policia lokale pohuan se po kryen hetime në disa pista si: ajo e një hakmarrjeje të mundshme për shkak të konflikteve të vjetra, për një konflikt të ndodhur pak kohë më parë mes pjesëtarëve të fisit Çapja me një grup kriminal në Elbasan; për prishje të pazareve të drogës apo dhe të trafikut të armëve. Pavarësisht hetimeve të kryera, ngjarja është ende e paqartë. Kjo për faktin se autorët e krimit janë treguar profesionistë dhe nuk kanë lënë gjurmë që të mund të çonin në identifikimin dhe arrestimin e tyre. Edhe pamjet filmike të marra nga kamerat e sigurisë janë të paqarta.
TRE PERSONA TË DYSHUAR
Gjashtë ditë pas masa-krës së ndodhur në lokalin që ndodhet tek vendi i quajtur “Rrapi i Gonit”, burime pranë grupit hetimor deklaruan se në lidhje me këtë ngjarje dyshohen tre persona. Sipas këtyre burimeve, këta persona janë nga Elbasani, por aktualisht ndodhen jashtë vendit.
“Mbrëmjen e së mërkurës, por edhe gjatë ditës së enjte janë kryer kontrolle të shumta nga forcat speciale dhe policia. Tre persona me precedentë penalë nuk janë gjetur në banesat e tyre. Duke marrë shkas nga fakti se ata janë larguar jashtë vendit fill pas ngjarjes, janë marrë në pyetje familjarët e tyre”, thanë burimet e mësipërme. Nga ana tjetër, mësohet se familjarët e të dyshuarve kanë ngritur alibinë se largimi i të afërmve të tyre drejt Greqisë dhe Italisë ka qenë i lajmëruar më parë dhe se biletat janë prenotuar disa ditë para masakrës, duke hedhur kështu poshtë dyshimet e policisë se ata mund të jenë autorë të ngjarjes. Gjithsesi, burimet policore u shprehën se se tre personat e dyshuar janë nën hetim edhe pse ndodhen jashtë shtetit.
MJEKËT
Ngjarja në Krastë do të kishte bilanc më të madh viktimash, nëse nuk do të ishte e menjëhershme ndërhyrja e mjekëve të spitalit kirurgjikal të Elbasanit. Autoambulancat dhe trupa mjekësore kanë mbërritur në kohë rekord në vendin e ngjarjes dhe me shumë profesionalizëm kanë transportuar për në spital të plagosurit, shumica e të cilëve në gjendje mjaft të rëndë. Bluzat e bardha të këtij spitali dje deklaruan për “GSH” se të paktën 4 prej të mbijetuarve kanë shpëtuar nga kthetrat e vdekjes për shkak të ndërhyrjes së tyre profesionale.
(m.k/GSH/BalkanWeb)
