E ftuara e parë në “Dola te Ola” këtë të diel ishte aktorja e njohur Ema Andrea, e cila rrugëtoi nëpër kujtime dhe bëri një rrëfim të rrallë për jetën e saj private dhe profesionale.

Ema është motër e një vëllai binjak, dhe teksa në program u shfaq një fotografi me të, aktorja tregoi për marrëdhënien dhe lidhjen e ngushtë që ata kanë. “Jam shumë e lidhur me të. Është shoku im më i mirë. Personi i gjinisë mashkullore i cili ka qenë shembulli im se si duhet të jetë një figurë e tillë. Jam me fat”.

Ema dhe vëllai i saj binjak kanë edhe një motër më të madhe. Aktorja tregoi se ata gjithmonë zgjedhin ta ruajnë njëri-tjetrin, vendimet i marrin bashkë, nuk janë materialistë, mundohen të jenë mirënjohës, të jenë qytetarë, të mos hyjnë në privatësinë e tjetrit, të mos marrin atë që nuk iu takon, dhe të gjitha këto falë nënës së tyre e cila i ka rritur dhe edukuar me këtë frymë.

“Baba na ka lënë shumë herët, mami ishte shumë e re, unë dhe vëllai binjak ishim vetëm 9 muajsh dhe motra 5 vjeçe, të cilës në një mënyrë i është dashur të kujdeset për ne. Ajo na ka rritur, pasi mamasë i duhet të punonte”, tha ajo teksa shtoi se kanë qenë kohë të vështira për të gjitha familjet, por sidomos për një grua të vetme, vështirësia e të cilës shtohej se vëllai i bashkëshortit të ndjerë ishte arratisur dhe ajo duhet t’i rezistonte sistemit që të mos internoheshin.

Një moment shumë i bukur në studio ishte kur u shfaq videomesazhi nga vëllai i saj binjak. Ai kishte zgjedhur fjalë të ndjera për aktoren, nga të cilat ajo u emocionua dhe u përlot. “Është bekim të jesh vëllai yt. Është një bekim që Perëndia ma ka dhënë që në lindje. Je pjesa më e mirë e raportit tonë. Je paqe, je forcë, je dashuri”, tha ai ndër të tjera.

Pas këtij momenti, Endri dhe Stefi Prifti zgjodhën ta përshëndesin aktoren Ema Andrea me këngën “Margarita”, një këngë shumë e bukur e kënduar nga xhaxhai i saj, Mihallaq Andrea.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb