Shkrimtari dhe politikani shqiptar, Ben Blushi, ka rikthyer një shkrim të tij, të publikuar në vitin 2016, në dritën e një polemike të re që ka gjasë të lindë në mes tij e akademikut Rexhep Qosja.

Ishte Qosja që shkroi para disa ditësh një shkrim të shkurtër në llogarinë e tij në Facebook dhe shkrimi linte të nënkuptohej se e ka me Blushin e vitit 2016.

“Lufta e tij me shkrim e me gojë kundër politikës së imagjinuar koloniale kulturore të Shqipërisë ndaj Kosovës është dhe do të mbetet jo vetëm mendim i gabuar e veçues, por edhe veprim kundërkombëtar shkrimor e gojor: veprim kundër vetvetes”, shkroi, pos tjerash Qosja.

Blushi reagoi po në Facebook. Tha se “shpresoj se nuk më kanë keqkuptuar pas 6 vjetësh”. Dhe për këtë arsye, e ribotoi shkrimin e plotë.

2016: Pavarësia e Kosovës nga Shqipëria

Kosovarët po e shijojnë lirinë e tyre. Ata kanë hyrë ne një epokë të lirë që prodhon art, sa herë kombinojnë tingujt me gjuhën, trupin me ritmin, dhe muskujt me mendimin.

Liria që kanë fituar po i shpërblen. Ata po e shijojnë duke krijuar, duke kënduar dhe duke vrapuar. Kosovarët kanë fituar artin për të kënaqur veten me art.

Dhe për shkak të gjuhës po na kënaqin edhe ne, megjithëse ky nuk është qëllimi i tyre i parë. Kosova ka patur dhe ka dy pengesa për të qenë plotësisht e pavarur; njëra është politike dhe tjetra kulturore.

E para është më e thjeshtë, si një betejë diplomatike dhe juridike. Ka të bëjë me raportin e Kosovës me Serbinë.

Me ndihmën e ndërkombëtarëve Kosova e ka fituar pavarësinë nga Serbia dhe rruga për t’u kthyer atje është më e pamundur se rruga për t’u kthyer në Mars. Ajo pjesë e rrugës që mbetet, është më e shkurtër se ajo që ka kaluar.

Rruga e dytë është më e vështirë. Në këtë rrugë Kosova nuk po fiton, por po triumfon, për kënaqësinë e vet dhe për dobinë tonë.

Kjo është pavarësia kulturore nga Shqipëria.

Për arsye historike, Kosova ka qenë një koloni artistike e Shqipërisë. Arti që bëhej në Shqipëri, konsumohej në Kosovë. Por sot e kundërta po provohet e vërtetë. Sot Shqipëria duket si një koloni artistike e Kosovës dhe me sa duket ky është vetëm fillimi. Kosova po na dominon artistikisht dhe ky është një fat që duhet pranuar si i tillë. Vitet e fundit varësia nga mediat, televizionet, spektaklet, çmimet, tekstet dhe arenat e Shqipërisë, ka përbërë një joshje të madhe për kosovarët. Ata u dyndën duke performuar dhe duke formuar një modë. Marrëdhënia e artit të Kosovës me artin e Shqipërisë është marrëdhënia e lëngut me enën. Ata janë lëngu, ne jemi ena. Dhe me sa duket kështu do jemi edhe për shumë kohë.

Në çdo kuptim ata na dhanë më shumë se ç’ ju dhamë. Ata kanë zërin ne kemi audion. Ata kanë figurën ne kemi ekranin. Ata kanë golat ne kemi fushat. Ata ndikuan në krijimin e një mënyre të re arti që nuk e kishim njohur. Kosovarët krijuan shije, rrymë dhe stil. Pa frikë sot mund të them se ata na futën artistikisht në shekullin që jetojmë.

Para zbarkimit të tyre artistik, muzika dhe sporti shqiptar ishin tërësisht ballkanik. Me ndihmën e tyre është shumë më evropian. Sot kosovarishtja është gjuha e muzikës shqiptare. Nuk ka këngëtar shqiptar që të mos këndojë kosovarisht. Je nga Shkodra knon. Je nga Tirona e bon. Je nga Korça, nuk do, por don. Nëse e bën je. Nëse nuk e bën nuk je. Nëse e bën shijohesh, nëse nuk e bën nuk shikohesh.

Tregu shqiptar i muzikës dhe showbizit është i gjithi kosovar. Prej aty lind ritmi, lirika, vlimi, frymëzimi, hedhja dhe përdredhja. Kosovarët kanë humor, kanë refren, kanë pasion dhe harmoni. Pa dyshim që kanë dhe diçka që nuk e besoja që e kishin: disiplinën.

Arti dhe sporti kërkon përkushtim dhe kosovarët dinë ta bëjnë si yje dhe pse janë të vegjël. Ne u kemi thënë stilit të tyre një treg, ata i kanë dhënë artit tonë një shteg. Ajo që kanë bërë me futbollin tonë, është një marrëzi që lind nga një popull me fantazi. Edhe pa futbollistët e Kosovës, Shqipëria do kishte futboll. Por pa shkëlqim, pa qëllim dhe pa sedër.

Ata na dhanë atë që kishim humbur për disa dekada. Forcën për t’u ndjerë të barabartë me të tjerët. Na çuan në Evropë duke i dhënë kombëtares së Shqipërisë një ritëm që raca jonë nuk e kishte njohur. Kosovarët janë një popull që di të përdorë muskujt. Kur shoh sot Majlinda Kelmendin që mori një medalje të artë në Olimpiadën e Rios, kur shoh Rita Orën, Dua Lipën, Bebe Rexhën, Era Istrefin, Krenare Rugovën, Luan Krasniqin, Granit Xhakën, Milot Rashicën, Adnan Januzajn, Etrit Berishën, Lorik Canën apo dhjetëra stilistë, arkitektë, aktorë , kineastë, informaticienë dhe hakera të përsosur kosovarë, kam vetëm një pyetje. Pse kanë kosovarët kaq shumë talent? Dhe pse nuk ka Shqipëria po kaq talent?.

Ka disa vite që nuk kam përgjigjen e duhur për këtë pyetje. Në fakt kam më shumë pyetje. Gjuha është njëlloj. Vuajtjet janë të ngjashme. Genet janë të afërta. Atëherë çfarë ndryshon?

Kanë investuar më shumë në art, në sport dhe në muzikë? Nuk e them dot. Kosova shpenzon për artin dhe sportin ndoshta më pak se ç ‘bën Shqipëria, por çështja nuk është kjo. Çështja nuk janë paratë. Çështja është besimi.

Disa herë kam menduar se Kosova është duke përjetuar një fazë lirie të harbuar. Pavarësia i ka dhënë arsye dhe frymëzim popullit për të eksperimentuar. Gjatë kohës kur jetonin në Jugosllavi, kosovarët nuk kishin kaq shumë talente.

Muzika, letërsia, sportet, piktura dhe futbolli i tyre ishte i prapambetur në krahasim me popujt e tjerë të Jugosllavisë. Nuk kishte fituar asnjë medalje të artë, nuk kishin pothuajse asnjë futbollist të madh, nuk kishin muzikant, piktorë apo shkrimtarë të shquar.

Kuotat më të larta, mendimi i tyre kritik i arriti duke shkruar esse për poetët dhe artin e Rilindjes Shqiptare. Por sot gjërat kanë ndryshuar. Ata bëjnë art, ne e kritikojmë. Ata luajnë, ne duartrokasim. Ata këndojnë, ne kërcejmë. Ata prodhojnë, ne blejmë. Deri dje nuk kishin rilindjen e tyre që duket se tani po e shpikin, pa ndihmën tonë. Rilindja e tyre nuk është jugosllave, nuk është as shqiptare, është thjesht kosovare.

Çfarë ka ndodhur pra në dhjetë vjet?

Sipas meje ka funksionuar raporti me lirinë.

Kosovarët po e shijojnë lirinë e tyre. Ata kanë hyrë në një epokë lirie që prodhon art, sa herë kombinojnë tingujt me gjuhën, trupin me ritmin dhe muskujt me mendimin.

Liria që kanë fituar po i shpërblen. Ata po e shijojnë duke krijuar, duke kënduar dhe duke vrapuar. Kosovarët kanë fituar artin për të kënaqur veten me art. Dhe për shkak të gjuhës po na kënaqin edhe ne, megjithëse ky nuk është qëllimi i tyre i parë. Ata po shkojnë në drejtimin e tyre dhe shija që po krijojnë sot, është vetëm fillimi i një rruge në të cilën me sa duket, do na duhet t’i ndjekim.

Kosova është një kënaqësi që shijohet duke menduar se mund të mos e kesh. Dhe vërtet. Imagjinoni sikur të mos e kishim. Do ishim shumë më të varfër dhe shumë më të mërzitur. Por që ta shijojmë duhet të paguajmë një çmim: duhet t’i lëmë të lirë. /Albanianpost.com

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb