TIRANE – Byroja e Kuvendit vendosi pezullimin me 7 ditë nga Kuvendi të 2 deputetëve të opozitës, Genc Strazimiri dhe Bedri Hoxha si dhe përjashtimin me 2 ditë të deputetes Albina Deda, të cilët u bënë protagonistë të gjuajtjes me vezë dhe letra në seancën e së enjtes. Por byroja i është përgjigjur negativisht kërkesës së PD-së, duke mos marrë asnjë masë ndaj kryeministrit Edi Rama dhe deputetit Erion Braçe.

Nënkryetari i PD-së, deputeti Edmond Spaho tha se vendimi i Byrosë së Kuvendit ishte i pritshëm pasi ky parlament e ka treguar fizionominë e tij, duke paralajmëruar se opozita do të marrë në konsideratë qëndrimin në Kuvend.

“Deputeti Braçe përdori një fjalor të ndyrë, tërësisht banal, që solli veprimet e opozitës. Siç ka ndodhur edhe më parë, Byroja dënoi viktimat, deputetët që reaguan në përgjigje të këtij fjalori fyes ndaj deputeteve femra. Nuk habitemi nga një vendim i tillë, sepse ky parlament e ka treguar fizionominë e tij. U dënuan 2 deputetët, Strazimiri dhe Hoxha, me 7 ditë përjashtim nga kuvendi, Albina Deda me 2 ditë përjashtim. Kryeministri dhe deputeti u përgëzuan dhe iu rrahën krahët. Ne do ta shqyrtojmë qëndrimin tonë në Kuvend”, deklaroi Spaho.

Deputetet e opozitës, Albina Deda dhe Albjona Halimi në përfundim të dëshmisë së tyre në mbledhjen e Byrosë së Kuvendit shprehën shqetësimin e tyre për mos ekzistencën e pamjeve filmike të seancës së fundit të Kuvnedit, ku kryeministri dhe qeveria u qëlluan me vezë e letra.

Albina Deda, e cila qëlloi me letrën e lagur të mbledhur shuk kryeministrin sqaroi se: “U diskutua gjatë, ne insistuam të dënohet Rama dhe Braçe që kanë fyer në vazhdimësi opozitën dhe deputetet femra. Opozita proteston për të drejtën e saj legjitime dhe përballë kemi fyerje të kryeministrit për të mbrojtur kriminelët. Unë debatova me zonjën Leskaj e Hafizi pasi edhe ato janë vetë femra. Problemi qëndron tek pamjet, pasi kur kërkuam të na tregohen pamjet ata thanë se nuk i kemi. Me këtë duan të mbrojnë Ramën, të fshehin fyerjet e tij”.

Albina tha më tej se nëse merret vendimi për tu dënuar deputetët e opozitës dhe të mos preket kryeministri, opozita do përshkallëzojë protestat e saj.

“Vendimi që të dënohen deputetët e opozitës dhe të mos preket kryeministri, i cili ka cdo të drejtë të na fusë kriminelë në Kuvend, nëse do dënohemi do përshkallzojmë protestën. Sot është fundi i moralit dhe ekzistencës së këtij parlamenti. Nëse dënohen deputetët e opozitës do bllokojmë seancat”.

Më tej deputetja e qarkut të Lezhës shtoi se: “Nuk do marrim pjesë në komisione edhe këtë javë, nuk presim ndonjë reagim, Rama ka treguar që është i papërgjegjshëm të mos mendojë se do rrijë gjatë në atë karrige”.

Ndërsa deputetja Albjona Halimi shtoi se: “Ne u përpoqëm në mbledhje të argumentonim akuzat ndaj Ramës dhe Braçes për fyerjet. Unë dëshmova për akuzat ndaj Braçes”,- tha ajo.

Sakaq, deputetja Halimi tha se nuk ka qëlluar me shqelma asnjë prej personelit të sigurisë dhe se këtë mund ta faktonin pamjet filmike që, siç shtoi ajo, nuk janë. “Nuk jam kaq agresive sa të godas me shqelma. Kam kërkuar zbardhjen e regjistrimeve filmike. Na thanë që nuk janë, nuk i gjejmë regjistrimet. I sugjeruam kryetarit që të marrë pamjet e mediave dhe të konstatojë çfarë ka ndodhur”, tha ajo.

Deputetja Deda shtoi se Rama e ka pranuar edhe vetë sot se e ka thënë me shaka, pra e ka pranuar fyerjen që ka bërë. “Rama ka treguar që është i papërgjegjshëm. E kam goditur Ramën në shenjë të indinjatës së mirditorëve. Çdo zyrë në Mirditë është e mbushur me kriminelë. Jemi para një situate, një precedenti, ku krimi dhe kriminelët ofrohen nga kryeministri”, tha ajo.

BALLA: VENDIMI SIPAS RREGULLORES. QESHARAK PRETENDIMI SE VEZËT I KISHIN RASTËSISHT
Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla fill pas mbylljes së mbledhjes së Byrosë së Kuvendit, deklaroi se vendimi për 3 deputetët ishte konform ligjit dhe rregullores. Gjatë një deklaratë për mediat, Balla theksoi se një rast i tillë, ai i sulmit me vezë ndaj kryeministrit Rama, e cilësoi si të paprecedentë. “Vendimi i Kuvendit ishte në respektim të rregullores. kemi një rast të paprecedentë, ku deputetë të caktuar përdorin mjete të caktuar, të sjellja jashtë Kuvendit. Ndaj ato u përdorën në mënyrë të paprecedentë”, tha Balla.

Ndër të tjera ligjvënësi i majtë pohoi se deputetja e Partisë Demokratike, Albina Deda kishte deklaruar gjatë seancës së sotme se nuk i kishte dëgjuar fyerjet e bëra nga kryeministri Edi Rama në drejtim të saj, ndërsa sipas tij ajo i kishte mësuar vetëm përmes emisioneve.

“Deda u shpreh se nuk i kishte dëgjuar nuk i kishte dëgjuar fyerjet në drejtim të saj dhe ka dëgjuar ndoshta emisionin “Top Story “. Ka disa njerëz që nuk bëjnë dallim midis audio dhe videos. Nuk besoj se ka ndonjë që se pa që përfaqësuesit të opozitës nuk gjuajtën me vezë. Opozitës i kanë shteruar idetë dhe ka përfunduar tek vezët.”, përfundoi Balla.

BYROJA E KUVENDIT
PS kërkoi përjashtim nga punimet e Kuvendit në seancë plenare dhe në komisione deri në 10 ditë për deputetët e grupit parlamentar të PD-së: Gent Strazimiri, Albina Deda, Bedri Hoxha. Prandaj sot rreth orës 17:30 mblidhet Byroja e Kuvendit.

Ndërkohë gazetarja Elda Menga ben të ditur se edhe Partia Demokratike i ka kërkuar Byrosë së Kuvendit përjashtimin nga parlamenti të Kryeministrit Rama dhe deputetit Erjon Braçe për fyerje ndaj opozitës.

Kuvendi u përfshi dje në një situatë kaotike për shkak të bllokimit që opozita i bëri foltores. Zhurmë, tension dhe vezë të hedhura në drejtim të kryeministrit Rama ishin “kryefjala” e punimeve parlamentare. Në përfundim të seancës, kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, i kërkoi kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta përjashtimin e tre deputetëve që gjuajtën me vezë kryeministrin.

“Grupi parlamentar i PS-së ndjehet i keqardhur për ngjarjet e shëmtuara të ndodhura sot (dje) në sallën e seancave plenare nga deputetët e PD-së. Të gjithë shqiptarët e panë se si fajtorët për keqqeverisjen 8-vjeçare të Shqipërisë dhe shqiptarëve bllokuan punimet normale të parlamentit me të gjitha mjetet joligjore dhe aspak parlamentare, madje duke përdorur hedhje të sendeve apo vezëve në drejtim të kryeministrit Edi Rama dhe kabinetit qeveritar.

Prandaj, bazuar në nenin 65 të Rregullores së Kuvendit, grupi parlamentar i PS i ka kërkuar kryetarit të Kuvendit të mbledhë urgjentisht Byronë e Kuvendit për të shqyrtuar kërkesën për përjashtim nga punimet e Kuvendit në seancë plenare dhe në komisione deri në 10 ditë për deputetët e grupit parlamentar të PD-së: Gent Strazimiri, Albina Dede, Bedri Hoxha”, – shkruan Ruçi në letrën drejtuar Metës.
(er.nu/ma.ar/m.k/ed.me/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: