Policia e Durrësit ka vënë në pranga dy persona pasi kanë tentuar të kalojnë kufirin me dokumente false. Më konkretisht, një shtetas i Kosovës ka tentuar të ndihmojë një 24-vjeçare nga Gjakova që të kalojë në portin e qytetit bregdetar me dokument të falsifikuar.

“Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Durrës arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, shtetasin E. B., 31 vjeç, banues në Gjakovë, Kosovë, pasi u kap nga shërbimet e Policisë Kufitare, në PKK Port Durrës, duke ndihmuar shtetasen M. S. që të kalonte kufirin në mënyrë të paligjshme. Gjithashtu nisi procedimi penal për shtetasen M. S., 24 vjeçe, banuese në Gjakovë, Kosovë, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror””, njofton policia.

Po ashtu edhe një 41-vjeçar turk ka tentuar të bëjë të njëjtin veprim, por ka përfunduar në pranga.

“Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar në DVP Durrës arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, shtetasin A. Y., 41 vjeç, banues në Turqi, pasi është kapur nga shërbimet e Policisë Kufitare, në PKK Port Durrës, duke tentuar të kalojë kufirin, me dokumente të falsifikuara”, raportohet për rastin e shtetasit turk.

Ndërkohë, një 39-vjeçar dhe një 35-vjeçare janë proceduar penalisht pasi kanë kundërshtuar me forcë efektivët e policisë.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës referuan materialet në Prokurori për shtetasin I. U., 39 vjeç, banues në Durrës, pasi ka kundërshtuar punonjësit e Policisë të Rendit. Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, për shtetasen M. Zh., 35 vjeçe, banuese në Durrës, pasi ka kundërshtuar punonjësin e Policisë, që po kryente veprime procedurale për një konflikt në banesën e saj”, njoftojnë Blutë e Durrësit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb