TIRANË- Gjykata e Lartë rikthen për gjykim çështjen e organizatës kriminale ‘Hakmarrja për drejtësi’. Kjo çështje do gjykohet nga Apeli për Krimet e Rënda.

Gazetarja Klodiana Lala tha se ky vendim surprizë i Gjykatës së Lartë, kthen nga e para procesin gjyqësor ndaj 10 të dënuarve. Gjykatësit vendosën prishjen e vendimit të apelit të krimeve të rënda dhe rikthimin e dosjes, por me tjetër trup gjykues. Të pandehurit e kësaj çështjeje akuzohen për të paktën 11 vepra penale.

Organizata “Hakmarrje për Drejtësi” u shpall publikisht në vitin 1996, por ajo ishte krijuar më parë në 1994 në qytetin e Durrësit. Qëllimi i krijimit të një organizate të tillë ishte destabiliteti i vendit. Dy themeluesit e saj janë vëllezërit Leart Shyti dhe Orik Shyti.

Ndërsa si anëtarë të saj janë: Altin Arapi, Pasho Novruzi, Dritan Hate, Gëzim Gjoni, Gentian Haka, Nikolin Novruzi, Roland Shyti, Kreshnik Spahiu dhe Altin Arapi. Tre të fundit janë të dënuart, të cilët ndodhen jashtë Shqipërisë.

Seanca e parë gjyqësore në ngarkim të pjesëtarëve të organizatës “Hakmarrja për Drejtësi” filloi në 24 dhjetor 1998. Dhjetë të pandehurit u larguan jashtë shtetit që nga dita që ata u arratisën nga burgjet në vitin 1997. Akuzat e ngritura ndaj kësaj organizate lidhen me ngjarje të rënda si vendosja e bombës tek supermarketi i VEFA pranë 9-­katësheve; vrasja e ish­-drejtorit të Burgjeve, Bujar Kaloshi; vjedhje të bankave dhe arkave të shtetit; rrëmbim dhe disa vrasje e tentativa vrasjesh të tjera.

Gjykatat shqiptare i kanë dënuar shtetasit Altin Arapi dhe Orik Shyti me burgim të përjetshëm, në kuadër të dosjes “Hakmarrja për drejtësi”, ndërkohë që për Gentian Cakën është vendosur 25 vjet burg, ndonëse prokuroria kishte kërkuar burg përjetë. Po kështu, janë dënuar me 24 vjet Leart Shyti dhe me 25 vjet burg Roland Shyti. Ata kanë pretenduar për shkelje procedurale në dosje dhe i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb