Pas denoncimeve të ditëve të fundit se vajza të njohura si eskorta kanë hyrë brenda institucioneve të vuajtjes së dënimit për të ofruar shërbime seksuale për personazhe të botës së krimit, detaje të reja shokuese kanë dalë në dritë mbi korrupsionin galopant pas hekurave.

Në studion e emisioninit “Studio24” në News24, ku u diskutua kjo situatë alarmante, ish-drejtuesi i lartë i Policisë, Shemsi Prençi, dhe avokati i njohur Arbër Hoxha kanë zbardhur me shifra konkrete se si funksionon “biznesi” dhe ryshfeti brenda burgjeve shqiptare.

Ish-zyrtari i policisë, Shemsi Prençi, hodhi akuza të drejtpërdrejta ndaj krerëve dhe zyrtarëve të burgjeve, duke deklaruar se skema e futjes së eskortave brenda qelive kërkon shuma të jashtëzakonshme parash, të cilat shkojnë për ryshfete dhe rregullimin e dokumenteve false.

“Kushton 10 mijë euro për të futur një eskortë brenda në burg. Paratë i marrin zyrtarët, ndërsa vajza merr tjetër pagesë. Po ashtu paguhet veçmas edhe për t’i nxjerrë lejet përkatëse për ta futur në institucion.”

Sipas tij, çdo gjë është e mirëorganizuar dhe asgjë nuk ndodh pa miratimin dhe përfitimin e strukturave që drejtojnë këto institucione.

Nga ana tjetër, avokati Arbër Hoxha u ndal te luksi tjetër i ndaluar në burgje, që janë telefonat celularë. Ai tregoi se çmimet për të pasur një komunikim me botën jashtë janë të kripura dhe funksionojnë me një lloj “taksë” të përmuajshme.

“Për të futur një telefon brenda në burg kushton 1500 euro. Por nuk mbaron me aq, pasi për ta mbajtur atë pa u sekuestruar, çdo muaj paguhen nga 300 deri në 500 euro”, zbuloi avokati Hoxha në “Studio24”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb