PRISHTINË- Prokurori i Shtetit të Kosovës, Aleksandër Lumezi, priti sot në takim Prokurorin e Përgjithshëm të Shqipërisë, Adriatik Llalla, gjatë të cilit diskutuan për bashkëpunimin mes të dy institucioneve. “Dy prokuroritë kanë bashkëpunim të mirë dhe do ta vazhdojmë këtë bashkëpunim edhe në të ardhmen duke forcuar sistemin ligjor në dy vendet, me qëllim integrimin sa më të shpejt në Bashkimin Evropian”, theksoi kryeprokurori Llalla.

Ndërsa kryeprokurori i Kosovës Lumezi e njohu delegacionin e prokurorëve nga Shqipëria me funksionimin e sistemit prokurorial të Kosovës. Gjatë këtij takimi, Lumezi dhe Llalla biseduan lidhur me sfidat kryesore të dy sistemeve prokuroriale. Lumezi theksoi se sfidë kryesore për Prokurorinë e Shtetit të Kosovës është trajtimi i lëndëve të krimeve të luftës, korrupsionit, krimeve ekonomike. Po ashtu, ai njohu delegacionin e prokurorëve nga Shqipëria se në kuadër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, është themeluar Departamenti për Krime Lufte.

Po ashtu, Lumezi bëri me dije se Prokurori i Shtetit ka bërë planin strategjik për luftimin e korrupsionit dhe se në kuadër të Prokurorisë Themelore të Prishtinës është themeluar Njësia për luftimin e këtyre lëndëve. Në takimin e zhvilluar mes dy delegacioneve të dy prokurorive i pranishëm ishte edhe kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj, i cili ka prezantuar funksionimin e Këshillit, si dhe ka thekuar se vizitat si kjo do të ndikojnë në thellimin e bashkëpunimit mes dy sistemeve.

Kryesuesi Isufaj, po ashtu foli edhe për ndryshimet e tjera që ka pësuar Këshilli Prokurorial me plotësim-ndryshimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial dhe Prokurorin e Shtetit Delegacioni i Prokurorisë së Përgjithshme të Shqipërisë gjatë qëndrimit të Kosovë, do të zhvillojë takime me Presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçi.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: