TIRANE– Qendra Kombëtare e Biznesit fton bizneset të nisin dorëzimin e pasqyrave financiare, raporteve të auditit dhe ecurisë së veprimtarisë për vitin financiar 2015. Përmes një njoftimi në faqen zyrtare, QKB informon se bizneset kanë si afat të fundit datën 31 Korrik.

Referuar ligjit “Për Regjistrimin e Biznesit” subjektet kanë detyrimin të depozitojnë pasqyrat financiare vjetore, raportin e ecurisë së veprimtarisë dhe raportin e auditimit, të mbajtur sipas kërkesave ligjore, kur mbajtja e këtyre dokumenteve është e detyrueshme.

Detyrimin për depozitimin e dokumentave të sipërcituara e kanë subjektet me një xhiro vjetore mbi 8 milionë lekë, të cilët duhet të depozitojnë pranë QKB-së pasqyrat financiare vjetore të skanuara në format PDF, raportin e auditimit dhe ecurisë së veprimtarisë (kur mbajtja e tyre është e detyrueshme) si dhe vendimin për miratimin e pasqyrave financiare (sipas kërkesës ligjore).

QKB po ashtu informon se depozitimi i dokumentave të sipërcituara mundësohet vetëm nëpërmjet aplikimit on line në portalin qeveritar e-albania, duke ndjekur të gjitha hallkat e procedurës për kryerjen e aplikimit. Formati elektronik i ruajtjes së pasqyrave financiare, duhet të jetë në PDF.

QKB bën të ditur se ky shërbim ofrohet pa pagesë. Bëjnë përjashtim subjektet me administrator të huaj dhe shoqëritë e kursim – kreditit, që do të aplikojnë pranë sporteleve.
(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: