TIRANE- Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH ) njoftoi të martën se qarkullimi i mjeteve në akset rrugore në verilindje dhe juglindje të vendit është përmirësuar për shkak të përmirësimit të motit.

Sipas ARRSH-së, rekomandohet përdorimi i zinxhirëve në orët e mbrëmjes dhe orët e para te mengjesit në segmente të caktuara, për shkak se gjatë natës ka temperatura të ulëta të cilat shkaktojnë ngrica. Segmentet që paraqesin problematike në lëvizjen e mjeteve spërkaten me kripë, skorie dhe granil.

ARRSH dhe DPSHTRR kërkojnë mirëkuptimin e të gjithë drejtuesve të mjeteve, për të zbatuar rregullat e qarkullimit.Bëhet me dije se për ditën e sotme deri në orën 15:00, situata e kalueshmërisë së akseve rrugore paraqitet si më poshtë:

Qarku Kukës

Gjatë ditës temperaturat janë rritur. Janë spërkatur me kripë segmentet ku ka patur prani ngricash nga temperaturat e ulëta të natës. Qarkullimi rekomandohet të bëhet me zinxhirë në segmentin  K.Domaj-Draj Reç,  për shkak të temperaturave të ulëta dhe ngricave prezente. Qarkullimi në “Rrugën e kombit” kryhet normalisht.

Qarku Dibër 

Gjatë ditës temperaturat  janë ngritur. Në disa nga akset e këtij qarku ka patur ngrica nga temperaturat e ulëta të natës si:  Ura e Cerenecit-Steblevë, Peshkopi-Qafë Draj, Qafë Bualli-Krastë. Qarkullimi kryhet me zinxhirë në segmentin Q.Klenjë-Klenjë, Zall Dardhë-Qafë Draj dhe Ura e Cerenjës – Vasie. Rekomandohet kalimi me zinxhirë edhe në segmentet Qafë Bualli-Krastë dhe  U. e  Qytezës – Zerqan.

Qarku Shkodër

Temperaturat gjatë orëve të ditës janë rritur. Qarkullimi kryhet normalisht në të gjitha  akset dhe pa zinxhirë. Të bëhet kujdes nga ngricat në orët e para të ditës dhe në orët e mbrëmjes, pasi temperaturat janë të ulëta.

Qarku Korçë

Të kihet kujdes gjatë orëve të para të mëngjesit dhe të mbrëmjes për shkak të temperaturave të ulëta mund të ketë zona me ngrica. Është kryer kriposja e të gjitha akseve. Situata gjatë ditës së sotme është normale dhe kalueshmëria. Qarkullimi kryhet pa zinxhirë në të gjitha akset e qarkut të Korçës. Nga temperaturat e ulëta ka segmente rrugore ku formohen ngrica. Prandaj rekomandohet që mjetet të qarkullojnë me kujdes  në  orët e para të mëngjesit dhe në orët e mbrëmjes.

Qarku Tiranë           

Qarkullimi kryhet normalisht në të gjitha akset e këtij qarku. Qarkullimi kryhet pa zinxhirë, por rekomandohet kujdes në vendet që nuk i zë dielli, për shkak të ngricave.

Qarku Durrës

Nuk ka probleme në akset e këtij qarku. Të bëhet kujdes në qarkullim, pasi ka trafik.

Qarku Elbasan         

Aksi Librazhd-Steblevë është i hapur. Qarkullimi është normal në aksin Elbasan-Librazhd-Qafë Thanë. Duhen perdorur zinxhirët ne segmentin Lunik–Steblevë . Qarkullimi bëhet me vështirësi në Shelcan, pjesë e aksit Elbasan-Gjinar, ku ka ndodhur rrëshqitja e rrugës. Në akset e tjera  të bëhet kujdes nga ngricat në rrugë gjatë orëve të natës dhe orëve të para të mëngjesit.

Qarku Berat 

Nuk ka probleme për qarkullimin e mjeteve në akset e këtij qarku. Të behet kujdes në segmentet rrugore ku punohet. Rekomandohet të qarkullohet me kujdes, për shkak të ngricave nga temperaturat e ulëta të natës dhe orëve të para të mëngjesit.

Qarku Vlorë 

Nuk ka probleme për qarkullimin në të gjitha akset e këtij qarku.      Qarkullimi kryhet normalisht në të gjitha akset. Por në orët e para të mëngjesit  dhe në orët e mbrëmjes të behet kujdes nga ngricat.

Qarku Gjirokastër   

Nuk ka probleme për qarkullimin në të gjitha akset e këtij Qarku. Rekomandohet ecja e kujdesshme, sidomos në orët e mbrëmjes dhe orët e para të mëngjesit, pasi me uljen e temperaturave mund të formohen ngrica në rrugë.

Qarku Fier    

Nuk ka probleme për qarkullimin. Të bëhet kujdes në lëvizje, për shkak të fluksit të madh të makinave në superstradën Fier – Lushnje.

Qarku Lezhë 

Gjatë natës ka patur reshje shiu, por pa sjellë probleme në qarkullim. Është punuar gjatë natës dhe orëve të mëngjesit për pastrimin e rrugëve dhe kriposjen e tyre për shkak të ngricave. Të gjitha akset qarkullohen pa zinxhirë.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: