TIRANË – INUK ka urdhëruar sot, ndërprerjen e punimeve për ndërtimin e një pallati shumëkatësh tek diga e liqenit artificial të Tiranës, duke i konsideruar të pavlefshme, dy vendimet e kreut të Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha me nr. 9967/7 dhe 9967/13. Sipas INUK, “Vendimi ynë është në ushtrim të detyrave dhe përgjegjësive ligjore”

Në njoftimin që INUK i ka dërguar kompanisë ndërtuese “Gener 2” jepen argumentat ligjorë të ndalimit të punimeve. Në të thuhet se INUK, pasi ka konstatuar fillimin e punimeve të ndërtimit të objektit shumëkatesh në rrugën “Kristo Luarasi”, Diga e Liqenit Artificial, ka konstatuar se vendimi i Kryetarit të Bashkisë Tiranë Nr. 9967/7 datë 01.08.2014 “nuk është i shoqëruar me planvendosjen e objektit dhe të dhënat teknike e kondicionet urbane që duhet të shoqërojnë vendimin, sipas ligjit në fuqi. Pra vendimi është botuar i pjesshëm dhe i mungon pjesa më e rëndësishme e tij, ajo ilustruese.

NJOFTIMI I PLOTE I INUK-ut

[embeddoc url=”https://www.balkanweb.com/site/wp-content/uploads/2015/01/gener2.docx” viewer=”microsoft”]

PERPLASJA QEVERI – BASHKI PER GODINAT

Më 20 gusht të 2014-ës, kreu i ALUIZNI-it, Artan Lame deklaroi se nuk do të lejohej betonizimi i zonës tek diga, ndërsa Bashkia e Tiranës u kundërpërgjigj se ndërtimet nuk do të preknin asnjë centimetër tokë publike.

Lame tha: “Po ndodh shkatërrimi i zonës sportive poshtë digës së liqenit. Kanë dhënë leje për pallate, 5 monstra prej betonarmeje do të ngrihen atje, thonë se do shtohet gjelbërimi, me situatën tragjike ku po zhytet ky qytet. Janë dhënë 60 leje ndërtimi në zonat më të ndjeshme, edhe 70 studime janë miratuar. Gjatë gjithë gushtit po miratohen leje të reja”, tha Lame.

Përkundër deklaratës së ALUIZNI-it, Bashkia sqaroi se “me projektin zhvillimor në zonën 5/33, jo vetëm që nuk cenohet asnjë centimetër hapësirë publike, por me anë të formulës së menaxhimit të pronës, hapësirës publike i shtohen 2 mijë metra katrorë në zonën e pishinave, e cila po ashtu ruhet e paprekur. I paprekur ruhet edhe kompleksi i fushave sportive, ku me investimin e Bashkisë së Tiranës prej 35 milionë lekësh u bë i mundur ndriçimi dhe rehabilitimi i fushave”, thuhet në njoftimin e Bashkisë së Tiranës. Ndër të tjera sqarohet se, projekti zhvillimor kufizohet vetëm brenda pronës private, pasi në planin e mëparshëm të hartuar në kohën kur bashkia drejtohej nga Edi Rama, projekti që ishte parashikuar në këtë zonë kishte koeficient shfrytëzimi më të lartë, por rrezikonte edhe kompleksin e pishinave.”

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: