Trajneri i Tiranës, Ilir Daja, në emisionin “Gol pas Goli” në “Supersport” u shpreh pas barazimit në derbi me Partizanin se dalja e Muçës prishi ekuilibrat e ndeshjes, ndërkohë që edhe fati i penalizoi.

“Deri sa ishim me 11, ishim superiorë, por dalja e Muçës na prishi planet dhe humbëm ekuilibrat, sidomos në goditjet standarde. Luajtëm shumë mirë edhe me 10 lojtarë, por nuk patëm fat, sepse meritonim fitoren. Do të bëjmë analizat e duhura për sezonin e ardhshëm dhe do të jap kontributin tim edhe nëse nuk do jem trajner. E kam marrë Tiranën në moment krize dhe kemi marrë shumë pikë, duke parë kushtet dhe mungesat pa fund. Shkuam edhe 4 e 6 pikë para rivalëve, por humbëm terren dhe natyrisht, kemi pasur shumë probleme.

Në janar doja lojtarë që të bënin diferencën, jo sa për numër. Po ta kisha skuadrën të plotë, do shkonim shumë më lart. Tirana nuk bëhet çdo vit, boshti duhet ruajtur dhe të vazhdohet, duke afruar edhe elemente nga akademia. Problem tjetër është që Tirana ka presion për të fituar dhe nuk të lejohet të bësh plane afatgjata. Edhe këtë vit klubi punoi mirë, por për shumë arsye nuk fitoi dot trofe. Tirana luajti për vete, nuk na intereson kush e fiton kampionatin”.
(ed.me/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: