Nga: Ilir Sinanaj*

Jetëgjatësia është një nga gjërat për të cilën njerëzimi ka luftuar që nga fillimi i kohërave. Gjithashtu jetëgjatësia është një faktor që tregon mirëqënien e një vendi. Në raportin më të fundit të Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH) të Statistikave Botërore të Shëndetit, jetëgjatësia mesatare në Shqipëri është 77.8 vjeç, duke lënë mbrapa disa vende të Bashkimit Evropian, si edhe duke u renditur në vendin e tretë në rajon (për sa i përket vendeve me popullsinë më jetëgjatë).

Ndërkaq ajo që vihet re, sipas raportit të OBSH-së është se në Shqipëri femrat kanë një mesatare jetëgjatësie (80.7 vjeç) më të lartë se meshkujt (75.1 vjeç). Sipas të dhënave të OBSH-së, për jetëgjatësinë mesatare të femrave Shqipëria renditet në vendin e tretë në rajon, ndërsa për jetëgjatësinë mesatare të meshkujve vendi ynë renditet në vendin e dytë.

Një rritje e theksuar e mesatares së jetëgjatësisë së femrave në Shqipëri ka ndodhur duke filluar nga viti 2013. Kështu, sipas OBSH-së, jetëgjatësia mesatare e shqiptareve në vitin 1990 dhe në vitin 2013 ka qenë përkatësisht 71 vjeç dhe 76 vjeç, ndërsa në vitin 2015 arriti në 80.7 vjeç.

Në rang botëror statistikat e OBSH-së tregojnë se populli me mesataren më të lartë të jetëgjatësisë në botë janë japonezët (83.7 vjeç) ndërsa ata me më të ultën janë banorët e Sierra Leones (50.1 vjeç).

Jetegjatesia
(ma.ar/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb