Kina i kërkoi Iranit dhe Izraelit të ndërmarrin menjëherë hapa për të ulur tensionet të hënën, pasi Teherani nisi një breshëri sulmesh me raketa ndaj qyteteve izraelite dhe Izraeli goditi objektiva ushtarake thellë brenda Iranit.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Guo Jiakun, tha në një konferencë shtypi të transmetuar drejtpërdrejt në Pekin se Kina “është thellësisht e shqetësuar për sulmet e Izraelit ndaj Iranit, të cilat shkaktojnë përshkallëzim të menjëhershëm të konfliktit ushtarak”.
“U bëjmë thirrje palëve që të marrin menjëherë masa për të lehtësuar tensionet sa më shpejt të jetë e mundur… të parandalojnë që rajoni të bjerë në trazira më të mëdha dhe të krijojnë kushte për t’u rikthyer në rrugën e duhur për zgjidhjen përmes dialogut dhe konsultimeve.
Nëse konflikti midis Izraelit dhe Iranit vazhdon të përshkallëzohet, ose edhe të zgjerohet, vendet e Lindjes së Mesme do të jenë të parat që do të vuajnë”, tha ai.
(BalkanWeb)
