Irani i ka kërkuar Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike të OKB-së të dënojë sulmet izraelite ndaj centraleve bërthamore në republikën islamike gjatë një takimi urgjent të hënën, raporton AFP.
“Ne presim që Bordi i Guvernatorëve (i IAEA-s) dhe Drejtori i Përgjithshëm të marrin një qëndrim të vendosur në dënimin e këtij akti (sulmin ndaj objekteve bërthamore) dhe ta mbajnë regjimin (Izraelin) përgjegjës”, tha zëdhënësi i ministrisë së jashtme Esmaeil Baqaei gjatë një konference javore për shtyp.
Ndërkohë Shefi i mbikëqyrësit bërthamor të OKB-së, Rafael Grossi, dha të hënën një përditësim mbi situatën në objektet bërthamore të Iranit pasi Izraeli nisi sulmet ushtarake dhe tha se nuk kishte shenja të dëmtimeve të mëtejshme në vendet e pasurimit të uraniumit në Natanz ose Fordow.
Në një deklaratë drejtuar bordit të guvernatorëve të agjencisë së tij, ai tha: Agjencia (Ndërkombëtare e Energjisë Atomike) është dhe do të mbetet e pranishme në Iran. Inspektimet e masave mbrojtëse në Iran do të vazhdojnë sapo të lejojnë kushtet e sigurisë, siç kërkohet sipas detyrimeve mbrojtëse të Iranit ndaj NPT-së (Traktati i Mospërhapjes së Armëve Bërthamore).
