Irani dëshiron të kthehet në bisedimet bërthamore me Shtetet e Bashkuara, por vetëm nëse Uashingtoni nuk merr pjesë në sulmet izraelite, raportoi të hënën Wall Street Journal.
Në raportin e saj , gazeta amerikane thekson se Teherani u ka dërguar një sinjal urgjent Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit nëpërmjet shteteve arabe se kërkon t’i japë fund armiqësive dhe të rifillojë bisedimet mbi programin e tij bërthamor.
Informacioni iu përcoll gazetës nga zyrtarë nga Lindja e Mesme dhe Evropa. Nuk ka asnjë tregues se Irani është gati të bëjë lëshime të reja në bisedimet bërthamore, thanë ndërmjetësit arabë.
Përpjekja diplomatike e udhëhequr nga administrata Trump ishte ngrirë për shkak të refuzimit të Iranit për të ndaluar pasurimin e uraniumit, përpara se bisedimet të ndërpriteshin nga sulmet izraelite javën e kaluar.
Mes sulmeve izraelite, Teherani u ka thënë palëve të treta se do të ishte i hapur për t’u rikthyer në tryezën e negociatave për sa kohë që Shtetet e Bashkuara nuk i bashkohen sulmit.
Irani gjithashtu i ka argumentuar Izraelit se është në interes të të dyja palëve të kufizojnë dhunën.
Megjithatë, WSJ vëren se me izraelitët që fluturojnë lirshëm mbi Teheranin dhe kundërsulmet iraniane që shkaktojnë dëme minimale, izraelitët kanë pak nxitje për të ndaluar sulmin e tyre përpara se të shkaktojnë dëme serioze në objektet bërthamore të Iranit dhe të dobësojnë qeverinë teokratike.
Edhe pse sulmet izraelite kanë vrarë udhëheqës kryesorë ushtarakë, duke e lënë Udhëheqësin Suprem Ajatollah Ali Khamenei gjithnjë e më të izoluar, ndikimi në objektet bërthamore deri më tani ka qenë modest.
Pala izraelite, nëpërmjet kryeministrit Benjamin Netanyahu, ka thënë se sulmet do të vazhdojnë derisa të shkatërrohet programi bërthamor dhe raketat balistike të Iranit. Për momentin, nuk ka treguar se është gati të ndalet.
Gjithashtu ka thënë se ndryshimi i regjimit nuk është qëllimi, por mund të jetë një rezultat duke pasur parasysh dobësinë e udhëheqjes iraniane.
Ndërkohë, edhe një ndërprerje e përkohshme e armiqësive mund t’i japë Iranit hapësirë për t’u riorganizuar, duke rritur presionin mbi Izraelin.
Gjithashtu, komenton botimi, do të ishte një fitore për Teheranin që do të parandalonte Shtetet e Bashkuara të hynin në betejë me armë që mund të shkatërrojnë objektet nëntokësore.
(BalkanWeb)
