Ish-shefi i Komisariatit Rrugor të Tiranës, Roven Zeka, është liruar nga qelia me vendim të Gjykatës së Posaçme, e cila ka vendosur që ai të vijojë masën e sigurisë në arrest shtëpie. Raportohet se Zeka ka kërkuar kalimin në arrest shtëpie për arsye shëndetësore pasi është rrëzuar në burg dhe ka pësuar dëmtime.
Zeka u arrestua më 19 prill 2025, me urdhër të SPAK, së bashku me dy ish-zyrtarë të tjerë të Policisë së Shtetit, Edison Tabaku dhe Sokol Novaku, në kuadër të një hetimi për korrupsion.
Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, tre zyrtarët dyshohet se kanë marrë para nga një grua e përfshirë në një aksident rrugor, në mënyrë që rasti të mos referohej në prokurori dhe të mos niste një hetim penal.
Më herët, Apeli i GJKKO kishte lënë në fuqi masën e arrestit me burg për Zekën dhe Tabakun, ndërsa për shefin e hetimeve të aksidenteve, Sokol Novaku, masa u zbut në arrest shtëpie për shkak të rrethanave familjare.
