Zëvendëspresidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Arben Dervishaj, i ftuar në studion e emisionit “Log.” në News24, ka folur për atmosferën dhe organizimin e ndeshjes mes Shqipërisë dhe Serbisë, e cila përfundoi me fitoren 1-0 të kuqezinjve në Leskovc.
Dervishaj tha se ishte pjesë e delegacionit që shoqëroi ekipin kombëtar dhe theksoi se ekzistonte një marrëveshje ndërmjet federatave për të mos lejuar praninë e tifozëve respektivë shqiptarë dhe serbë në dy ndeshjet mes dy vendeve. Kjo masë u mor për të shmangur tensionet dhe për të garantuar sigurinë gjatë përballjes.
“Ndeshja ishte me përgjegjësi të madhe për ekipin, sepse këtu ndahej nëse do të ishim kandidatët për të vijuar rrugën drejt Botërorit,” tha Dervishaj, duke rikthyer edhe në kujtesë përjetimet nga ndeshja e vitit 2014 në Beograd, ku ishin pjesë e të njëjtit grup njerëzish që e përjetuan atë sfidë.
Ai vuri në dukje se federata serbe këtë herë kishte bërë një organizim të mirë dhe kishte marrë masa të forta sigurie. “Nëse Serbia do të kishte bërë shkelje të masave të sigurisë, rrezikonte të penalizohej nga dy deri në pesë vite,” shtoi Dervishaj.
Gjithashtu, ai tregoi se presidenti serb Aleksandar Vuçiç kishte telefonuar pronarin e hotelit ku qëndruan shqiptarët për të pyetur rreth kushteve të qëndrimit, duke treguar kështu një përkushtim serioz ndaj organizimit dhe mirëpritjes.
