Njëmbëdhjetë persona humbën jetën dhe mbi 30 u plagosën në zjarrin që shpërtheu mbrëmjen e së martës në një azil pleqsh në qytetin Tuzla, në verilindje të Bosnjës, sipas një bilanci të ri të njoftuar sot nga policia.

“Sipas të dhënave më të fundit, 11 persona kanë vdekur dhe 30 janë shtruar në spitalin universitar të Tuzlës,” njoftoi policia lokale.

Një bilanc paraprak fliste për 10 të vdekur dhe 20 të plagosur. Ndër të plagosurit janë pesë zjarrfikës dhe tre policë.

Një hetim për shkaqet e zjarrit është ende në zhvillim, tha mëngjesin e sotëm për gazetarët përfaqësuesi i prokurorisë, Admir Arnautović, duke shtuar se “procesi i identifikimit të trupave do të kryhet gjatë ditës.”

Zjarri shpërtheu mbrëmë rreth orës 21:45 (me orën lokale), në katin e shtatë të një ndërtese shumëkatëshe në qendër të Tuzlës, ku strehoheshin kryesisht persona të sëmurë dhe të palëvizshëm. Flakët u vunë nën kontroll rreth një orë më vonë.

“Po shkoja të flija kur dëgjova disa zhurma,” tregoi për televizionin publik BHRT Ruža Kajic, një banuese e shtëpisë së të moshuarve.
“Banoj në katin e tretë të godinës… Pashë nga dritarja dhe vura re që binin objekte të ndezura nga sipër. Vrapova në korridor. Në katet e sipërme janë njerëz të palëvizshëm,” shtoi ajo, ende e tronditur.

Kryetari në detyrë i Presidencës trepalëshe të Bosnjës, Željko Komšić, shprehu ngushëllimet e tij për familjet e viktimave dhe u uroi shërim të shpejtë të plagosurve.

Ndërkohë, kryeministri i entitetit kroato-mysliman, Nermin Nikšić, e cilësoi zjarrin si një “katastrofë”.

Qeveria e Republika Srpska-s (entiteti tjetër i Bosnjës) ofroi ndihmë për qytetin e Tuzlës.
“E ndjejmë dhimbjen dhe jemi gjithmonë gati të ndihmojmë,” shkroi në X Savo Minić, kryeministri i Republikës Srpska.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: