Kandidatët e PS kryesojnë në të 5-ta bashkitë ku të dielën e 9 nëntorit, qytetarët iu drejtuan kutive të votimit për të zgjedhur kryebashkiakët.
Kështu, ish-deputetja e PS, Brunilda Mersini kryeson me diferencë të thellë në Bashkinë e Vlorës përballë kandidatëve të pavarur Dionis Sota dhe Gjergj Nika.
Deri tani janë numëruar 218 kuti nga 231 në total që ka Bashkia e Vlorës. Mersini ka marrë 14895 vota ose 78.3%, Sota 2211 vota ose 11.6% dhe Nika 1926 vota ose 10.1%.

Në Berat janë numëruar 41 kuti 116 në total. Ervin Ceca i PS numëron 4641 vota, ndërsa Pavllo Shkarpa i mbështetur nga opozita ka marrë 914 vota.

Në Bashkinë Mat gjithashtu kryeson kandidati socialist, Altin Bojni, duke lënë pas kandidatët e pavarur Eduart Brahilika dhe Suzana Pasha.

Edhe Bashkia Tepelenë në kutitë e para të numëruara duket se nuk do të ketë surpriza. Ish-komandanti i Gardës së Republikës, Gramoz Sako kryeson garën me rreth 84%.

Edhe Bashkia e Cërrikut duket kapitull i mbyllur. Florenc Doka kryeson me 71.5%, kundrejt Amarildo Hoxhës 15% dhe Eligert Himës 13.5%.

