Drejtori Akademik i Asociuar në departamentin e Statistikës pranë London School of Economics (LSE), James Abdey, i ftuar në News24, foli për bashkëpunimin historik me Universitetin Luarasi, i pari institucion në Shqipëri që ofron programet globale të LSE-së.
Abdey tregoi se këtë vit janë regjistruar rreth 15 studentë, të ndarë në tre programe: Financë, Biznes dhe Menaxhim, si dhe Shkencë të të Dhënave & Analitikë Biznesi. “Ka qenë kënaqësi e madhe të takoj grupin e parë të studentëve. Disa synojnë të futen shpejt në tregun e punës, të tjerë e shohin këtë si një hap drejt studimeve master në LSE. Gjatë studimeve, shumë prej tyre do të zbulojnë fusha të reja interesi, pasi kurrikula përfshin edhe ekonomi, matematikë dhe statistika,” tha Abdey.
Ai theksoi se procesi për të sjellë këto programe në Shqipëri ka zgjatur gjashtë deri në shtatë vjet, nga idetë e para deri te regjistrimet e para, dhe tani interesi është në rritje jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera të vendit. Abdey inkurajoi studentët e interesuar të kontaktojnë Universitetin Luarasi për të mësuar më shumë rreth programeve, kërkesave të pranimit dhe afateve kohore.
Sa i përket të ardhmes së partneritetit, drejtori i LSE-së u shpreh se potenciali është i madh. Universiteti Luarasi tashmë ka marrë njohjen formale nga Universiteti i Londrës si Qendër e Njohur e Mësimdhënies, duke hapur mundësinë për zgjerimin e programeve në të ardhmen. “Shembulli i Singaporit është frymëzues, një qendër që nisi me 40 studentë sot arriti mijëra. Luarasi mund të tërheqë studentë nga i gjithë rajoni dhe shumë prej tyre mund të vazhdojnë më pas studimet master në LSE,” tha Abdey.
Ai shtoi se LSE ofron gjithashtu bursa të bazuara në meritë për studentët me rezultate të larta, duke garantuar mundësi të barabarta për të gjithë pjesëmarrësit globalisht. “Dua që studentët shqiptarë të synojnë lart, të ëndërrojnë dhe të besojnë se mund të arrijnë më të mirën. Jam krenar që LSE po u jep këtë mundësi për herë të parë këtu, në Tiranë,” përfundoi Abdey.
Ky bashkëpunim shënon një hap të rëndësishëm për arsimin e lartë në Shqipëri dhe rajon, duke ofruar programe ndërkombëtare me standarde të një prej institucioneve më prestigjioze të botës.
Pjesë nga intervista:
Abdey: Si ka qenë interesi i studentëve për këtë vit dhe a kanë nisur regjistrimet për vitin e ardhshëm?
Ka qenë kënaqësi e madhe të takoj grupin e parë të studentëve që ndjekin programet globale të LSE-së në Universitetin Luarasi. Aktualisht kemi rreth 15 studentë të ndarë në tre programe: Financë, Biznes dhe Menaxhim, si dhe Shkencë të të Dhënave & Analitikë Biznesi.
I pyeta pse e zgjodhën këtë program dhe përgjigjet ishin të ndryshme. Disa synojnë të futen shpejt në tregun e punës, ndërsa të tjerë e shohin këtë si një hap drejt studimeve master në LSE. Gjatë studimeve, shumë prej tyre do të zbulojnë fusha të reja interesi, pasi kurrikula përfshin edhe ekonomi, matematikë dhe statistika.
Procesi për të sjellë këto programe në Shqipëri ka qenë i gjatë, rreth gjashtë deri në shtatë vjet nga idetë e para deri te regjistrimet e para. Tani që programet janë realitet, interesi është në rritje të ndjeshme, jo vetëm në Tiranë, por edhe në qytete të tjera të vendit.
Për këdo që është i interesuar, inkurajoj të kontaktojë Universitetin Luarasi për të mësuar më shumë rreth programeve, kërkesave të pranimit dhe afateve kohore. Ne do të mbështesim çdo student serioz e të përkushtuar për t’u siguruar që të arrijë kriteret e pranimit dhe të ketë sukses në këto programe.
Abdey: Si e parashikoni të ardhmen e këtij partneriteti mes LSE dhe Universitetit Luarasi?
E ardhmja është jashtëzakonisht premtuese. Universiteti Luarasi ka kapërcyer tashmë pengesën më të madhe njohjen formale nga Universiteti i Londrës si Qendër e Njohur e Mësimdhënies për programet globale të LSE-së.
Në të ardhmen, në varësi të kërkesës së tregut dhe mundësive lokale, Luarasi mund të zgjerojë ofertën me programe të reja. Aktualisht, LSE ofron programet globale vetëm në nivel bachelor, por anëtarë të tjerë të Federatës së Universitetit të Londrës ofrojnë edhe programe master, përfshirë MBA.
Shembulli i Singaporit është frymëzues Instituti i Menaxhimit në Singapor do të festojë 40-vjetorin e bashkëpunimit me ne në vitin 2026, duke u zgjeruar nga vetëm 40 studentë në mijëra. Mendoj se kjo tregon çfarë është e mundur edhe për Luarasin.
Duke qenë se është e vetmja qendër e njohur e mësimdhënies në Ballkan, Luarasi ka potencial të tërheqë studentë nga e gjithë rajoni. Dhe kush e di, ndoshta shumë prej tyre do të vazhdojnë më pas ëndrrën e tyre për studime master në LSE.
Ne gjithashtu ofrojmë bursa të bazuara në meritë, që u jepen studentëve me rezultatet më të larta akademike. Këto janë mundësi të barabarta për të gjithë studentët në botë.
Dua që studentët shqiptarë të synojnë lart, të ëndërrojnë dhe të besojnë se mund të arrijnë më të mirën. Dhe jam krenar që LSE po u jep këtë mundësi për herë të parë këtu, në Tiranë.
