Një nga momentet më emocionale të mbrëmjes në Fest 64 erdhi nga Arilena Ara, e cila u shfaq e përlotur në skenë dhe ndau me publikun një monolog të fuqishëm, të dedikuar nënës së saj. Artistja rrëfeu një pjesë të historisë së saj personale, duke prekur zemrat e të gjithëve në sallë. Arilena kujtoi humbjen e të atit në moshë shumë të vogël, një ngjarje që e ka shoqëruar gjatë gjithë jetës. Ajo tregoi se, pavarësisht dhimbjes së madhe, sot donte të fliste për dikë tjetër: për nënën e saj, të cilën e quajti forcën e heshtur që e ka mbajtur familjen të bashkuar.
“Ata që më njohin dhe e kanë ndjekur pak historinë time, e dinë mirë që babi më la 12-vjeçe, bashkë me dy motra, më e madhja ishte 15 vjeçe. Unë kam qenë shumë e lidhur me të dhe mungesën e tij nuk e zëvendëson dot asnjë njeri akoma. Por sot nuk dua të flas për të. Sot dua të flas për një person për të cilin flas rrallë dhe gjithë këto vite që unë kam qenë në dritën e projektorëve, ndjej se e kam lënë në hije. Dua të flas për ty mam”, tregoi ajo.
Në monologun e saj, këngëtarja theksoi se si, në fëmijëri, dhimbja e humbjes e kishte bërë të mos e shihte sakrificën e nënës, e cila u detyrua të ishte njëkohësisht edhe nënë, edhe baba. Ajo foli për peshën e madhe që nëna e saj mbajti pa u ankuar kurrë, për lotët e fshehur dhe për sakrificat e panumërta që i hapën rrugën Arilenës drejt suksesit. “Kur je fëmijë mbyllesh në atë dhimbjen tënde. Nuk e kupton dot se ndërkohë që ti po thyhesh, dikush tjetër po mban gjithë peshën e botës vetëm që mos të të shohë ty të thyhesh. Nuk e kupton që ajo, që duhej të ishte thjeshtë mam, u bë dhe babë. Që ajo grua pranë teje po heq dorë nga jeta e vet për jetën tënde. Pa u ankuar kurrë, pa kërkuar ndihmë nga askush, jam e sigurt që edhe ke qarë shumë herë, fshehurazi që ne mos të të shihnim dhe nuk prite kurrë asgjë mbrapsht, edhe pse e ardhmja jote u ndal, u ndal kur ti ishe ende e re”, rrëfeu këngëtarja.
Artistja pranoi se për shumë vite kishte menduar se ia kishte dalë vetë, por shtoi se sot e kupton se gjithçka do të kishte qenë e pamundur pa mbështetjen e nënës së saj. “Edhe pse im atë iku, unë nuk të shihja ty, shihja atë sepse isha vajza e babit, sepse edhe kur të kisha ty përpara, kërkoja atë, atë që nuk ishte më. Mua më ka pëlqyer të mendoj që ja kam dalë vetë, por nuk është ashtu. Pas kaq vitesh kur kthehem e shoh, kuptoj që nuk do të isha këtu nëse nuk do të kisha ty, e që në heshtje dhe pa zhurmë, më mbështete sa për dy. Të dua mam!”, përfundoi ajo.
