Lamine Yamal, në sytë e opinionin sportiv, shihet si pasuesi dyshes së famshme Messi-Ronaldo, me yllin spanjoll që konkurron me Mbappe, Haaland e yje të tjerë për të marrë podiumin e më të mirit në botë. Për t’i kapur në fushë, me trofe, është ende shumë larg, por së fundmi sulmuesi i Barcelonës është ngjitur në majën e botës për një detaj shumë domethënës. Me 2025 që është në ditët e fundit, për Yamal ky vit është unik pasi rezulton se fanella e tij është më e shitura në botë.

Sipas të dhënave të publikuara nga “SportBible”, 1.32 milionë tifozë kanë blerë fanellën e talentit 18-vjeçar të Barcelonës, duke e ngjitur atë në krye të renditjes globale. Në vendin e dytë renditet Leo Messi, me legjendën argjentinase që ka shitur 40 mijë fanella më pak. Një rënie të ndjeshme ka pësuar C.Ronaldo, me sulmuesin portugez që renditet në vendin e 7-të.

Ky trend vërteton se Yamal është ylli i ri në botën e futbollit, lojtari që po frymëzon brezat e rinj. Ajo që jep në fushë, mënyra se si luan, por edhe jeta e tij, e kanë shndërruar Lamine Yamal në lojtarin më të kërkuar nga tifozët.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb