Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Lisandër Hoxha, ka deklaruar se brenda Partisë Socialiste po shfaqen tensione dhe kritika që, sipas tij, tregojnë një krizë të thellë politike dhe institucionale.

I ftuar në emisionin Studio24News24, Hoxha u ndal te debatet e fundit të lidhura me qëndrimet kritike brenda PS-së, përfshirë edhe ato të ish-ministres së Jashtme Elisa Spiropali.

Sipas tij, situata aktuale kërkon ndërhyrje dhe vëmendje ndërkombëtare, si dhe një strategji të qartë për daljen e vendit nga kriza politike.

“Duhet faktori ndërkombëtar, duhet një strategji konkrete për nxjerrjen e vendit nga kriza,” u shpreh Hoxha, duke shtuar se sipas tij institucionet përfaqësuese kanë humbur funksionin e llogaridhënies dhe debati parlamentar është dobësuar.

Ai ngriti gjithashtu një pyetje politike që e lidhi me debatin në PS: “A je me partinë apo Shqipërinë?”, duke e cilësuar këtë si një dilemë ekzistenciale brenda PS-së.

Hoxha theksoi se edhe brenda grupit parlamentar socialist mund të ketë individë që, sipas tij, vendosin interesin e integrimit europian mbi qëndrimet politike të lidershipit aktual.

Sipas tij, një pjesë e deputetëve mund të distancohen nga linja aktuale nëse vendosin interesin e vendit dhe procesin e integrimit në Bashkimi Europian mbi faktorët politikë të brendshëm.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb