Ndërkohë që Cortina d’Ampezzo përgatitet për Lojërat Olimpike Dimërore 2026, luksi nuk ka lënë pas as kafshët shtëpiake. Një aktivitet gastronomik i pazakontë ka tërhequr vëmendjen: menu gourmet për qen, me çmime që shkojnë deri në 120 euro. Sipas pronarit Andrea Orecchioni, ideja lindi nga vetë klientët e besnikë: “Na e sugjeruan ata vetë. Qentë marrin tasa të personalizuar dhe shefi zgjedh për ta ushqimin e freskët, të përgatitur në moment.”.
Menuja përfshin hamburger me mish viçi, peshk dhe cous-cous të dekoruar me fletë ari, ndërsa çmimet variojnë nga 80 deri në 120 euro. Ky shërbim luks nuk është për të gjithë, por për pronarët që nuk kursejnë kur bëhet fjalë për kafshët e tyre.
Fenomeni i llastimit të qenve ka ngjallur edhe kritika. Trajnuesi Marco Picariello thekson: “Qentë nuk kanë interes të shijojnë ushqim gourmet. Ajo që u nevojitet është ushqim cilësor. Për ta nuk ka asnjë ndryshim, nëse është një fetë bukë apo një fletë ari.”. Lojërat Olimpike Dimërore 2026 do të nisin më 6 shkurt, dhe ndërkohë Cortina duket e gatshme të mirëpresë vizitorët dhe… edhe qentë e tyre të luksit.
