Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Myslim Murrizi, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, ka komentuar zhvillimet e fundit politike dhe të drejtësisë, duke u ndalur te shtyrja e Këshillit të Mandateve për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku, e akuzuar nga SPAK.
Sipas tij, heqja e imunitetit të një deputeti është një hap kyç, pasi i hap rrugë kontrollit të banesës dhe vendosjes së masës së arrestit, ndërsa zvarritja e procesit për muaj me radhë e bën të pavlefshëm çdo veprim hetimor.
Ai theksoi se pas tre muajsh “tollovi”, kontrolli i banesës humbet vlerën hetimore, pasi provat mund të jenë zhdukur. “Çfarë do gjesh në një kontroll banese kur i thua paraprakisht se do të kontrolloj pas tre muajsh?”, u shpreh Murrizi, duke shtuar se vlera reale e hetimit është vetëm në rastet e kapjes në flagrancë.
Sipas Murrizit, qëndrimi i kryeministrit Edi Rama nuk lidhet me mbrojtjen e Belinda Ballukut, por me interesin personal. Ai deklaroi se Rama ka frikë nga krijimi i një precedenti, pasi pezullimi i një zv/kryeministreje mund të hapë rrugën që në të ardhmen një prokuror të veprojë edhe ndaj vetë kryeministrit.
Në vijim, Murrizi kritikoi ashpër edhe Gjykatën Kushtetuese, duke pretenduar se një pjesë e anëtarëve të saj janë emëruar politikisht dhe në kundërshtim me Kushtetutën.
