Me bekimin e trajnerit Vincent Kompany, Bayern Munich i është rikthyer edhe një herë pistës Fisnik Asllani. Tekniku bavarez sheh te “bomberi” i përfaqësueses së Kosovës profilin ideal për të përforcuar repartin ofensivë sezonin e ri, duke detyruar drejtuesit e Bayern të vihen në lëvizje për të gjetur një akord të shpejtë me lojtarin dhe ekipin e tij, Hoffenheim.
23-vjeçari po zhvillon një tjetër sezon shumë të mirë ku deri në këtë pikë të kampionatit ka shënuar 7 gola dhe ka dhuruar 4 asiste, një prej tyre e dhuroi pikërisht kundër Bayern Munich, ku përfitoi nga një gafë e portierit Neuer. Nuk pritet të jetë një problem transferimi i Asllanit në Mynih pasi lojtari ka një klauzolë largimi prej 30 milionë euro, shifër që Bayern kërkon ta zbus duke përfituar nga dëshira e lojtarit për t’u transferuar në Mynih.
Asllani shihet nga trajneri Kompany dhe drejtuesit e klubit si një opsion për të zëvendësuar Harry Kane. Në mungesë të rinovimit, e ardhmja e kapitenit të Anglisë mbetet e paqartë, me mediat që flasin për një transferim të tij në radhët e Barcelonës. Kujtojmë që Kane ka të përfshirë në kontratë një klauzolë që e lejon të largohet nga Bayern në fund të këtij sezoni.
