Një alpinist austriak, 37 vjeç, u dënua këtë të enjte me pesë muaj burg me kusht, pasi në janar të vitit 2025 la të dashurën e tij të vdiste në mal gjatë një ngjitjeje në Grossglockner, maja më e lartë e Austris (3.798 metra).
Pas 13 orësh marrjeje në pyetje të të pandehurit dhe dëshmive të 15 personave, gjykatësi e shpalli fajtor për vrasje nga pakujdesia të rëndë 37-vjeçarin Thomas P. E dashura e tij, Kerstin G., 33 vjeçe, humbi jetën nga ngrirja dhe rraskapitja pas 18 orësh ngjitjeje në kushte të vështira atmosferike. Çështja, e shqyrtuar në një gjykatë në Innsbruck, në rajonin e Tirolit austriak, ngjalli interes të madh mediatik si në Austri ashtu edhe në shumë vende të tjera. Përveç dënimit me burg me kusht, i cili ende nuk është i formës së prerë, alpinisti u dënua edhe me një gjobë prej 9.600 eurosh (rreth 11.300 dollarë).
Gjykatësi, i cili ka edhe formim si guidë mali, deklaroi gjatë shpalljes së vendimit se viktima ishte “vite dritë larg” nga i pandehuri për sa i përket aftësive alpinistike. “Ajo që i mungonte në mënyrë të qartë ishte përvoja në ngjitjet dimërore”, theksoi ai, sipas agjencisë austriake APA. Si rrethana lehtësuese, gjykatësi përmendi “dënimin mediatik paraprak” që kishte përjetuar i akuzuari, mungesën e precedentëve penalë dhe humbjen e partneres së tij. Megjithatë, ai theksoi se viktima ishte vënë nën “kujdesin” e të pandehurit, duke supozuar se ai do të merrte “përgjegjësinë” për të në kushtet e malit të lartë.
Nga ana tjetër, i akuzuari u deklarua i pafajshëm dhe gjatë një dëshmie që zgjati dy orë, tha se atë ditë kishte qenë në një “gjendje emergjence”. Ai shtoi se e ndiente “pafundësisht” humbjen e partneres dhe se ekspedita ishte planifikuar së bashku. Thomas P. i mohoi vazhdimisht akuzat, ndërsa avokati i tij, Kurt Jelinek, e cilësoi vdekjen e gruas si “një aksident tragjik”. Ndërkohë, Prokuroria argumentoi se i pandehuri kishte injoruar mungesën e përvojës së partneres në ngjitje të vështira malore dhe e akuzoi për një sërë neglizhencash, duke qenë se ai kishte përvojë më të madhe. Sipas aktakuzës, çifti e nisi ngjitjen shumë vonë më 26 janar 2025, çka bëri që nata t’i zinte para se të arrinin majën.
Gjithashtu, ai nuk e kishte paralajmëruar partneren se këpucët që mbante nuk ishin të përshtatshme për kushte të tilla. Prokuroria theksoi se ata duhej ta kishin ndërprerë ngjitjen dhe të ishin kthyer për shkak të motit të ashpër, me erëra që arrinin deri në 74 kilometra në orë dhe temperatura deri në minus tetë gradë Celsius. Sipas hetimeve, alpinisti nuk dërgoi asnjë sinjal emergjence kur u bë e qartë se ndodheshin në rrezik, madje nuk i bëri shenjë as një helikopteri që fluturoi mbi ta rreth orës 22:50. Ai kontaktoi sërish ekipet e shpëtimit vetëm 3 orë më vonë, kur kërkoi ndihmë, pasi e kishte lënë gruan vetëm, pa pajisje të posaçme mbrojtëse nga i ftohti, vetëm pak metra larg majës. Ekipet e kërkim-shpëtimit e gjetën trupin e saj të pajetë në orën 10:00 të mëngjesit të ditës pasuese.
