Në emisionin me “Zemër të Hapur” me autoren dhe moderatoren Evis Ahmeti, në “News24”, ditën e sotme u trajtua historia e dhunës mes një ish-çifti.

Sipas deklarimit të gruas, burri ka ushtruar vazhdimisht dhunë fizike dhe psikologjike ndaj saj dhe fëmijëve. Ajo ka treguar se është goditur me sende të forta, madje edhe në sy të fëmijëve, të cilët qanin dhe përjetonin frikë të vazhdueshme.

Sipas saj, burri e ka kërcënuar me vrasje nëse do të bënte kallëzim, duke pretenduar se edhe më parë kishte detyruar ish-bashkëshorten të nënshkruante deklarata nën presion.

“Jam njohur para katër vitesh me të me shkuesi. Në martesën e parë kam qenë 16-vjeçe. Kemi pasur shumë probleme. Në martesën e dytë, po ashtu kemi biseduar dhe kemi rënë dakord. Ai më tha se ish-bashkëshortja e parë e kishte tradhtuar dhe ai e kishte ndarë. Dhe unë e besova. Njohja nuk ka zgjatur shumë, pasi pas një javë bashkë me familjen më ka ardhur dhe më ka marrë. Familja e tij më priti mirë edhe vajza e tij shumë mirë. Ajo qante për nënën e vet, pasi ky ja kishte marrë vajzën që kur ishte 2 vjeç. Ajo gruaja ka tentuar ta takojë vajzën, por unë nuk kam pasur kontakt fare me të”, ka treguar ajo.

Po ashtu gruaja ka theksuar se, ndonëse është kujdesur dhe e ka trajtuar si fëmijën e saj vajzën e burrit nga një martesë e mëparshme, ai vazhdimisht ushqente armiqësi dhe e nxiste të bijën kundër saj.

Ajo pretendon gjithashtu se dhuna është ushtruar edhe ndaj fëmijëve, duke i goditur, tërhequr nga flokët dhe madje duke rrezikuar jetën e djalit në një moment konflikti.

“Dhuna nisi pas një viti martesë. Kam qenë shtatzënë me fëmijët e parë. Dhe i kam abortuar. Nuk i denoncova dhunën. Nisi dhuna e parë, por më pas vijoi edhe më pas”, tregoi ajo.

“Më prezantoi të dashurën. Ishte italiane. Kur ka qenë në shtëpi atje me ka sjellë në shtëpi. Jam ndjerë shumë keq. Fëmijët binjakë të dytët kishin lindur sepse të parët i kisha humbur. Ndërsa vajzën 4-vjeçe e çonte te një grua tjetër”, rrëfen ajo.

Sipas saj, për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme për jetën dhe pretendimeve se do të ndikonte tek autoritetet për të shmangur përgjegjësinë, ajo nuk ka bërë kallëzim më herët, pavarësisht se kishte informuar prindërit për situatën.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: